Analisti Martin Leka në një intervistë në “News Line” në ABC News komentoi protestën e opozitës që u mbajt të hënën para Kryeministrisë.
Gjatë intervistës, ai tha se Sali Berisha tashmë është konsumuar dhe se të gjithë kaosin e krijon për shkak të egoizmit të tij. Më tej theksoi se Berisha është i pashpresë në marrjen e pushtetit siç ai synon.
“Sali Berisha është konsumuar dhe gjithçka shkon për egoizmin e tij. Berisha është pa shpresë në atë që ai synon, marrjen e pushtetit”, tha Leka.
Gjithashtu theksoi se protesta e opozitës ishte një zhgënjim. Leka theksoi se Berisha nuk frymëzon më masa, përveç militantëve.
“Që të vish në pushtet duhet të kesh mbështetjen e një shtrese të kualifikuar të shoqërisë. Por Berisha mbështetet vetëm nga ajo pjesë e militantëve. Protesta për militantët dhe anëtarët e PD ishte një zhgënjim i madh. Vetë liderit e PD kishin fryrë opinionin se do të ishte fundi i Ramës. Protesta nuk ishte në nivelin e duhur, por thjesht një protestë e zakonshme. Pra edhe për vetë PD ishte një zhgënjim, fakti që Berisha mblodhi më pak njerëz se Basha, dhe kjo tregon se nuk motivon më, nuk jep shpresë…Kjo situatë do të vazhdojë të jetë e tillë sepse nuk arrin dot më të frymëzojë masa përtej militantëve. Në krye të protestave duhet një lider ose një grupe liderësh që të frymëzojnë, por e gjitha protesta tregoi se Berisha nuk frymëzon më dhe nuk është i aftë të mbledhë turma. PD nuk është në gjendje të kapë shtresën e mesme dhe sidomos shtresën intelektuale “, tha ndër të tjera ai.
Analisti Leka komentoi edhe lëvizjet e Ervin Salianjit, duke thënë se i janë mbyllur të gjitha dyert në PD. Gjithashtu shtoi se çdo zë që është kundër Berishës në PD, është ‘shuar’.
“Gjithmonë Berisha ka thënë edhe më para që janë vetë-përjashtuar. Por zërat kundër në PD nuk ia kanë dalë të krijojnë një gjendje në PD që të dëgjohen dhe të ndryshojnë diçka. Nuk bën përjashtim edhe Salianji edhe pse lëvizja e tij është për t’u përshëndetur, por në rrugën e tij do ketë pengesa. Ose do kërkojë falje të Berisha për atë që po bënë, ose do detyrohet të largohet. Në parti e Berishës çdo zë që është kundër tij është i destinuar të fiket”, tha ai.
/abcnews.al/

