Avokati Arbër Hoxha në një intervistë në “News Line” në ABC News, komentoi procesin për gjyqin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Gjatë intervistës, Hoxha shpjegoi se nga të gjitha zhvillimet e deritanishme është një proces që do të marrë shumë kohë. Sipas tij, ndërrimi i avokatëve duket se është një strategji e përdorur për të zvarritur sa më shumë procesin.
“Si duket është strategji e mbrojtjes për të ngritur edhe një herë kërkimet Pritet të jetë një proces i gjatë dhe besoj se Berisha do ta dalë edhe në pension politik dhe besoj se do të jenë procese të gjata si ajo e Berlusconit, ku çështja e tij pushoi vetëm pasi ai ndërroi jetë. Pra besoj se do vazhdojë me dekada dhe gjyqi më famëkeq nuk besoj se është vetëm ky por edhe gjyqi i Fatmir Mediut që zvarritet në dyert e drejtësisë deri më sot. Pra është edhe ai një proces që ka zgjatur dhe do të zgjatet akoma. Por me rëndësi nuk është vetëm zgjatja e procesit por edhe dhënia e drejtësisë që duhet të jepet brenda një afati të arsyeshëm. Pasi një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar. Por ky është një gjyq që ka të gjitha premisat të jetë i zvarritur gjatë gjithë procesit të jetës së zotit Berisha. Do t’i kushtojë ky proces shtetit shqiptar. Sigurisht mbrojtja e zotit Berisha nuk do t’i lërë të bëjnë punën e ngarkuar me ligj. Ecuria e procesit nuk varet vetëm nga mbrojtja, ka të pandehur që kërkojnë të zvarrisin procesin gjyqësor dhe ka truke të caktuara si është ndërrimi i avokatëve për të shtyrë procesin., Por edhe gjykata në limitet e saj nga njëra anë është e detyruar të japë kohë të caktuar mbrojtjes, por edhe nga ana tjetër të caktojë avokatë që të mos ketë zvarritje të tillë”, tha ai.
Më tej avokati Hoxha tha se edhe pse gjykata është në dije të plotë që kemi të bëjmë me zvarritje, duke shtuar se “për shkak të pozicionit, jemi edhe në këtë situatë”.
“Finishi nuk shihet më me dylbi, por as me teleskop. Për të ardhur keq apo mirë këtë e vlerëson gjykata. Por besoj që do jetë një proces që do zgjasë por edhe që do vendosë standard të caktuara, është hera parë që ish-presidenti dhe ish-kryeministri po gjykohet nga Gjykata e Posacme dhe ndaj gjykata është e kujdesshme. Edhe pse është në dijeni të plotë që kemi të bëjmë me zvarritje, por për shkak të pozicionit, kemi këtë situatë dhe gjykata e posaçme përpiqet të tregohet e kujdesshme ne këtë pikë”, u shpreh ai.
/abcnews.al/

