Në zemër të Tiranës, mes lëvizjes së përditshme të qytetit, një personazh vizatimor i njohur për fëmijë, tërheq vëmendjen e vogëlusheve dhe të kalimtarëve.
Pas kostumit të personazhit të famshëm vizatimor Stiç, fshihet 39-vjeçari nga Dibra Valdrin Abazi, i cili prej ditësh është kthyer në një atraksion në sheshin Skënderbej.
“Në rrugët e Tiranës shoh fëmijë me bluza të veshura me logo të stiçit. Ka dhe mosha të mëdha që e preferojnë, vajzat më përshëndesin si Stiçi”, u shpreh ai.
Për 39-vjeçarin kjo veshje nuk është thjesht argëtim i të vegjëlve, por një mënyrë jetese.
“Rri nga katër orë paradite dhe pasdite. Është punë, me këtë mbaj familjen. Personazhet nuk mbahen për qejf, Stiçi ka kosto. Këtu jam deri më datë 31. Pasdite qendra është plotë me fëmijë vetëm për Stiçin”, tregon ai.
Stiçi nuk njeh moshë. Fëmijët i afrohen të parët, por ai thotë se ky personazh preferohet nga të gjitha grupmoshat, ndërsa ka rrëmbyer edhe vëmendjen e turistëve, të cilët ndalen e përshëndesin dhe i kërkojnë fotografi.
“Shoh fëmijë, po edhe gjyshër e gjyshe që e kanë qejf Stiçin. Më vijnë italianë, anglezë, pa dallim. Janë të lumtur.”, shtoi ai.
Në një qytet ku ritmi i jetës lëviz shpejt, Stiç arrin të ndalë kohën për pak çaste, duke sjellë buzëqeshje dhe emocione në këtë muaj festiv.

