Presidenti serb Aleksandar Vuçic po tenton sërish të afrohet me Bashkimin Europian, edhe pse lidhjet e ngushta me Moskën dhe Pekinin nuk i ka shkëputur ndonjëherë.
Tashmë Vucic kërkon anëtarësimin në union të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe një plan të tillë do ja paraqesë edhe presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
“Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në tërësi në BE është ideja më e mirë. Nëse dikush përjashtohet, çfarë do të bëhet me ato vende? Bëhet fjalë për të ardhmen e Europës. Nëse të gjithë mirëpritemi së bashku, të gjithë do të ndihen më mirë.”
Sipas Vuçiç anëtarësimi në bllok do të ndihmonte në stabilitetin rajonal, që në fakt është një nga arsyet pse unioni nuk i ka hapur derën deri më tani si Serbisë, ashtu edhe Kosovës, e madje i ka ndëshkuar edhe me sanksione.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, janë angazhuar në procesin e integrimit për vite me radhë.
E teksa vendi ynë ka bërë progres e ka hapur të gjithë grupkapitujt me unionin, Serbia nuk është në pozita të tilla.
Bashkimi Europian i ka shprehur vazhdimisht Beogradit shqetësimet në lidhje me korrupsionin por edhe sistemin gjyqësor e mbi të gjitha, për lidhjet e ngushta që Vladimir Putin ka mbajtur si më Rusinë, ashtu edhe me Kinën, që me ndikimin e tyre kanë qenë një faktor stabilizues në rajon.
Madje Vuçiç sfidoi Europën kur u bë ndër të paktët liderë europianë që shkoi në Moskë për paradën e fitores edhe pse Brukseli ia kishte bërë të qartë se një lëvizje e tillë do të dëmtonte marrëdhëniet.
Zyrtarët e Bashkimit Europianë kanë deklaruar vazhdimisht se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda bllokut, por jo të gjitha vendet kanë ecur me të njëjtin ritëm në procesin e reformave. Teksa kërkon anëtarësimin në union të të gjithë rajonit, plani i Vuçiç duket kontradiktor, në mos i pamundur, ndërkohë që Beogradi nuk pranon të njohë Kosovën dhe kusht për rrugën integruese është avancimi në procesin e dialogut./abcnews.al

