Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur akuze ndaj tre personave për shpërthimin në kanalin e Iber Lepencit që ndodhi më 29 nëntor 2024.
Nën akuzë janë Dragisha e Jovan Viqentijeviç dhe ndaj Igor Dimoviç.
Kanë qenë vëllezërit Viqentijeviç që më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.
Jovan Viqentijevic deri në momentin e arrestimit, sipas prokurorisë ka qenë i rekrutuar në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, kolonel, dhe ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës”, ndaj mbi te bie edhe akuza për spiunazh, bashkë me akuzën për cenim të rendit kushtetues, kryerjes së veprës terroriste dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe cenimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, kanë vendosur një sasi të konsiderueshme eksplozivi që shërben për përdorim ushtarak, rreth 20 kilogram tritol në brendësi të kanalit.
Pas shpërthimit në Varragë të Zubin Potokut, autoritetet në Kosovë fajësuan Serbinë për rastin, por Beogradi i mohoi akuzat.
Kosova e konsideron shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit si akt terrorist. Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc, furnizon me ujë disa qytete të Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Kjo ndërmarrje është në pronësi të plotë të Qeverisë së Kosovës./abcnews.al

