Gjykata e Tiranës ka dënuar me 16 vite burg autorin e vrasjes së Martin Canit, ngjarje e ndodhur një vit më parë pranë shkollës “Fan Noli”. Mario Perlleshaj u shpall fajtor për dy vepra penale: vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj Martin Canit dhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë, ndaj Luis Meçajt, i cili mbeti i plagosur.
Sipas vendimit, Perlleshaj u dënua me 12 vite burg për vrasjen e Martinit dhe 10 vite burg për tentativën e vrasjes së të miturit tjetër. Në bashkim të dënimeve, Gjykata vendosi 16 vite heqje lirie.
Prokuroria kishte kërkuar 25 vite burg, duke e kualifikuar veprën si vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave. Por, për shkak të nenit 97/2 të Kodit Penal, që përcakton se për të miturit nuk mund të jepet më shumë se gjysma e dënimit të parashikuar, u vendos një dënim më i ulët.
Avokati mbrojtës i familjes Cani, pas përfundimit të seancës, deklaroi se ishte dakord me vendimin e Gjykatës.
Vrasja e Martin Canit ndodhi më 18 nëntor 2024. Konflikti mes të miturve kishte nisur disa ditë më parë. Më 18 nëntor, pas mësimit, ata u takuan jo shumë larg oborrit të shkollës “Fan Noli”, ku debati degjeneroi në përdorimin e thikës. Ngjarja përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosjen e autorit.
/abcnews.al

