Ndërsa sinjalet nga Uashingtoni sugjerojnë se Donald Trump mund të reduktojë ndjeshëm ose madje të braktisë mbështetjen për Kievin, shqetësimet në Evropë po rriten.
Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledion Krisafi, paralajmëron në “War Report” në ABC News se kontinenti nuk ka kapacitetin e nevojshëm për të mbajtur i vetëm peshën e luftës në Ukrainë, ndërsa rithekson se riarmatimi evropian kërkon vite dhe rritja ekonomike mbetet e brishtë.
“Evropa gjithë këtë lloj riarmatimi që po bën i duhen disa vite. Evropa nuk ka kapacitetin që të mbështesë Ukrainën. Rritja ekonomike është shumë e vogël dhe e gjithë kjo ndihmë për Ukrainën nga diku duhet të dalë. Evropa mund të mbështesë Ukrainën vetëm për 2, por nëse lufta do vazhdojë më tepër do e ketë të pamundur”, tha Krisafi.
Edhe ish-ambasadori Rolandi Bimo shprehet se në Evropë ka mbizotëruar për një kohë të gjatë bindja e gabuar se Rusia ishte e dobët dhe se ndihmat për Kievin do të mjaftonin për ta mundur. Mirëpo, situata aktuale tregon se kjo ka qenë një llogaritje e gabuar, duke e vendosur kontinentin përballë sfidave të reja strategjike.
“Në Evropë është krijuar një bindje që Rusia ishte e dobët. Kishin bindjen që me gjithë ndihmat që çonin në Ukrainën, Rusia do të mundej. Ka qenë ose një mosllogaritje, ose një gabim”, tha Bimo./abcnews.al

