Pas më shumë se 12 orësh negociata në Orosh të Mirditës, Julian Cumraku dhe Hamza Uka, të cilët iu dorëzuan forcave RENEA mbrëmjen e së hënës, kanë refuzuar t’u japin deklarime hetuesve, duke “kyçur” gojën para grupit hetimor. Rasti, i konsideruar i paprecedentë nga ekspertët, ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe mbikëqyrjen e personave me të shkuar radikalizimi.
Eksperti i sigurisë, Gjergj Nikolla, në “Real Story” në ABC News, e cilësoi situatën si një kambanë alarmi, duke theksuar se “është e pafalshme që të mos i kenë nën kontroll, për më tepër që kanë pasur një të shkuar shumë të radikalizuar” dhe se autoritetet duhej t’i kishin mbajtur nën mbikëqyrje.
“Nuk e kishim të hasur më parë një rast të tillë. Kjo është një kambanë alarmi. Në gjykimin tim është e pafalshme që të mos i kenë nën kontroll, për më tepër që kanë pasur një të shkuar shumë të radikalizuar. Të mbaheshin në mbikëqyrje nga autoritetet.”
Ndërkohë, gazetarja Etleva Delia raportoi se zbulimi i tyre u bë i mundur pas identifikimit të njërit prej personave nga shefi i Komisariatit të Pukës, i cili gjatë patrullimit pa një individ që vrapoi duke thirrur “Allahu Ekber”. Sipas saj, hetimet çuan në gjetjen e banesës, ku dyshja jetonte prej kohësh, me një tunel nën shtëpi dhe përgatitje të tjera mbrojtëse. Fshati, i braktisur dhe i izoluar, krijonte terrenin e përshtatshëm për fshehje, ndërsa dëshmitarët kanë pohuar se nga banesa është parë të hyjë e dalë edhe një grua.
“Zbulimi i tyre ishte i rëndësishëm, pasi ishte zbuluar vetëm njëri prej tyre. Në momentin që shefi i komisariatit të Pukës ka bërë mbikëqyrjen e territorit, ka identifikuar një person, i cili ka vrapuar dhe ka thirrur “Allahu Ekber”. Është bërë i mundur edhe zbulimi i banesës. Po mbahej njëri nën vëzhgim nga “nën terrori”. Ata kishin kohë që jetonin atje, kishte tunel poshtë shtëpisë, ishin të përgatitur. Fshati ishte i braktisur, i thellë, vetëm familje mund të jenë. Por, dëshmitarët thonë se kishin parë edhe një grua që hynte dhe dilte që nga shtëpia.”/abcnews.al

