Në studion e “ABC të Mëngjesit”, dyshja shqiptare e qitjes, Henri Rrufa dhe Sabina Hoti, ndanë emocionet e suksesit historik që arritën në Kampionatin Botëror të Qitjes, ku fituan medaljen e bronztë në disiplinën Target Sprint Mix, me pushkë me ajër. Kjo është medalja e dytë e bronztë që i vjen Shqipërisë pas plot 40 vitesh, duke rikthyer vendin tonë në podiumet botërore të këtij sporti.
Disiplina Target Sprint është e re për Shqipërinë dhe ka nisur të ushtrohet vetëm që prej vitit 2017. Ajo kombinon qitjen me pushkë dhe vrapimin, duke e bërë garën tërësisht dinamike dhe sfiduese.
“Starti nis me 400 metra vrap, ndalesë, 15 gjuajtje në 5 tabela, sërish vrap dhe më pas gjuajtje në ajër,” shpjeguan kampionët.
Në këtë kampionat morën pjesë 16 ekipe nga vende të forta si Gjermania, Zvicra, Italia dhe Egjipti. Gjermania dominoi finalen, ku çifti gjerman arriti kohën më të mirë, 7:14.9, duke marrë medaljen e artë. Megjithatë, dyshja shqiptare arriti një rezultat brilant, duke siguruar vendin e tretë dhe medaljen e bronztë, një arritje që vjen pas dekadash mungesë trofesh në këtë disiplinë.
Henri Rrufa, 27 vjeç, kampion kombëtar në qitje, rrëfeu se pasioni i tij ka nisur që në moshën 13-vjeçare, kur ndiqte garat e ndryshme të babait, i cili gjithashtu ka qenë qitës profesionist.
“E kam përfaqësuar Shqipërinë në kampionate botërore dhe europiane, dhe jam krenar që kam arritur ta lartesoj vendin tim,” u shpreh ai.
Krahas sportit, Henri është i angazhuar edhe në menaxhimin e një restoranti.
Ndërsa Sabina Hoti, vetëm 16 vjeç, ka nisur rrugën e saj nga atletika. Ajo tregoi se u fut rastësisht në një garë qitjeje, ku zbuloi talentin dhe pasionin e ri që e çoi drejt këtij suksesi të jashtëzakonshëm.
“E gjeta veten më mirë në këtë sport,” tha ajo me emocion.
Të dy sportistët theksuan se qitja ka qenë dikur një nga sportet më të dashura për shqiptarët, duke nënvizuar se suksese të tilla mund ta rikthejnë sërish në vëmendjen e publikut.

