Ishte protagonist për mirë e për keq. Qazim Laçi është padyshim njëri nga lojtarët më luftarakë në kombëtaren shqiptare, dhe vazhdon ta mbajë vendin si titullar në mesfushë edhe pse konkurrenca është e madhe.
Futbollisti kuqezi pati një mbrëmje me emocione të forta, por kontradiktore në ndeshjen e Superligës së Turqisë, që ekipi I tij, Rizespor, në fund e humbi në fushën e vet ndaj Fenerbahçes me shifrat e thella 2-5.
Fillimi në stadiumin e bukur dhe të mbushur plot ishte i shkëlqyer, pasi Çajkuri vendas kryesoi 2-0, dhe Laçi realizoi një gol prej mjeshtri.
Një goditje dënimi si yjet më të mëdhenj të futbollit. Gjithsesi, gjigandi turk reagoi dhe në rezultatin 2-1 për lojtarin e Shqipërisë nisën hallet.
Mori karton të verdhë krejt të evitueshëm për protesta, jo për faull.
Gjithçka për Laçin mori fund në minutën e 63-të në shifrat 2-2, pasi u ndëshkua me të verdhin e dytë për ndërhyrje të gabuar taktike, dhe u përjashtua me të kuq.
E dëmtoi shumë ekipin që në inferioritet numerik pësoi tre gola radhazi.
E hidhur aventura edhe për Juljan Shehun në Superligën e Polonisë, Ekstraklasa.
Mesfushori tjetër I kombëtares shënoi në ndeshjen Vidzev-Korona Kilce, por skuadra e tij humbi 1-3 në shtëpi.
Shehu ka 4 gola dhe 4 asistë në 15 ndeshje ku ka luajtur këtë edicion në elitën e Polonisë, me 35 për qind pjesëmarrje në rrjetat e shënuara nga Vidzevi.
Edhe më I dëshpëruar Kristian Shpendi, në ndeshjen Monza-Çezena në Serinë B italiane, që përfundoi 1-0.
Sulmuesi shqiptar shënoi për Çezenën në minutën e 70-të, për shifrat 1-1, por goli u anulua me ndihmën e sistemit VAR, pasi njëri prej lojtarëve të Çezenës gjatë aksionit ishte në pozicion jashtë loje.
Mëkat për pikën, ndërsa sulmuesi kuqezi ka 5 gola e 2 asistë, duke pasur të njëjtin numër rrjetash si vëllai I tij, Stiveni, që luan për Empolin, gjithashtu në Serinë B./abcnews.al

