Stefan De Vrij është një nga pikat më të forta të defensivës së Interit dhe këtë sezon është aktivizuar në 20 ndeshje mes kampionatit dhe Champions League, teksa numëron edhe një gol të shënuar. Ndryshe ndodh në kombëtare, aty ku 27-vjeçari holandez përballet me një konkurrencë shumë të fortë.
Van Dijk dhe De Ligt janë dy të preferuarit e trajnerit Roland Koeman. “Tulipanët” kanë një brez shumë të mirë mbrojtësish, mes tyre është edhe Nathan Ake, 24-vjeçari që luan te Bouremouth. Trajneri i Holandës ka folur troç për Voetbal International. Elozhet për De Vrij dhe Ake nuk mungojnë, por titullarët janë të tjerë.
“De Vrij dhe Nathan Ake janë dy mbrojtës të shkëlqyer. Njëri ndodhet në krye me Interin në Itali, ndërsa tjetri luan prej vitesh në Premier League dhe mund të përmirësohet akoma. Por më pas gjendesh përpara emrave si Matthijs De Ligt dhe Virgil Van Dijk“, thekson trajneri i kombëtares holandeze. /abcnews.al