Nuk prisja që afatet për të mbledhur parlamentin dhe për të hedhur në votim kandidaturën e Konjufcës të shfrytëzoheshin deri në momentin e fundit. Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve se çfarë po ndodh me krizën politike në vend.
“Siç e dini, ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, dhe jam e bindur që do të ftohet me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese. Në anën tjetër, unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati. Më pas është në duart e deputetëve dhe të partive politike se çfarë diskutojnë mes vete; këto janë procese në të cilat nuk kam ndërhyrë më herët dhe as tani”, u shpreh Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani ka ritheksuar se nuk kishte obligime kushtetuese për të kërkuar garanci nga mandatari i dytë se i kishte votat.
“Çështja e nënshkrimeve nuk kërkohet as me Kushtetutë, e as me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. Sikur të ishin dy kandidatë, atëherë do të shihej se cili prej tyre i ka gjasat më të mëdha. Por, megjithatë, kur është vetëm një propozim, shihet nëse ai kandidat i ka gjasat, dhe nga ajo që ka shprehur kandidati për kryeministër, Konjufca, është vlerësuar nga ana ime si Presidente se i ka ato gjasa”, tha Osmani.
Presidentja nënvizon se ajo vetëm ka respektuar Kushtetutën, ndërsa tha se për çështjen e bllokimit të vendit nuk është ajo shkaktare.
“Mos të harrojmë që ka pasur një vonesë 9-mujore, të cilën nuk e kam kërkuar, as përkrahur e as shkaktuar unë si Presidente. Për 9 muaj i kemi pritur partitë politike. Kam shpresuar se do të tregonin durim për këto dy javë. Në asnjë moment nuk ka qenë qëllimi im të shkaktoj vonesa; ato janë shkaktuar nga të tjerët”, ka thënë ajo.
Afati i fundit për të mbledhur parlamentin dhe për të hedhur në votë emrin e Glauk Konjucës si i mandatuari i dytë për formimin e qeverisë është 19 nëntori. Përpara tij dështoj Albin Kurti që nuk arriti të marrë 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Nga 9 shkurti për vendin, kryefjala ka qenë; kriza politike dhe bllokada ekonomike e vendit.

