Në lojë është vetëm vendi në vazon e dytë të shortit të play off, por asgjë nuk është në dorë të Shqipërisë. Madje që kombëtarja kuqezi ta arrijë këtë, duhet një kombinacion rezultatesh, në letër thuajse i pamundur.
Gjithsesi, ky detaj nuk e zbeh aspak prestigjin e një sfide si ajo kundër Anglisë.
Në orën 18:00 në “Air Albania” skuadra kuqezi do të përbyllë kualifikueset e “Botërorit 2026”, të cilat që tani janë historike.
Shqipëria e ka siguruar vendin e dytë në grupin K dhe biletën e saj për në play off, ndërsa “Tre Luanët” janë të kualifikuar direkt në fazën finale të Kupës së Botës.
Për këtë arsye, rezultati, përveçëse për prestigj, nuk ka shumë vlerë sportive.
Po ashtu, Sylvinho nuk mund të rrezikojë që për shkak kartonësh, të humbasë disa prej lojtarëve titullarë për sfidat e play off.
Tekniku kuqezi ka vendosur të çojë në tribunë Julian Shehun dhe Mario Mitaj, që nëse do të ndëshkoheshin me karton të vërdhë do të pezulloheshin për ndeshjet e marsit. Me të njëjtin rrezik përballen edhe tre lojtarë të tjerë të tjerë si Rei Manaj, Arlind Ajeti dhe Nedim Bajrami.
Sylvinho pritet t’i kursejë edhe këta lojtarë, duke zbritur në fushë nga minuta e parë me shumë risi përballë Anglisë.
Kështu, pritet që një fanelë titullari të marrin, Ismajli e Aliji në mbrojtje, Medon Berisha në mesfushë, apo Uzuni dhe Daku në sulm.
Po ashtu, minuta pritet të kenë edhe lojtarët e tjerë që kanë luajtur më pak në këto kualifikuese. / abcnews.al /

