Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC Neës, ka komentuar situatën aktuale politike në vend, duke vlerësuar se tensionet politike janë të përqendruara brenda Partisë Demokratike dhe jo jashtë saj.
Sipas Mërtirit, opozita ka humbur orientimin politik dhe është kthyer në një forcë që i shërben më shumë liderit se sa publikut.
Ai theksoi se Sali Berisha po e përdor PD-në si një mjet mbrojtjeje ndaj drejtësisë dhe se brenda partisë nuk ekziston më asnjë zë kundërshtie.
Mërtiri shtoi gjithashtu se “21 Janari” mbetet një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në fatin politik të Berishës, ndërsa akuzoi këtë të fundit se ka zhytur opozitën në krizë për të ruajtur interesat e veta personale.
“Jashtë PD nuk ka asnjë tensioni. Kemi dy forca që njëra nuk bie dot nga pushteti dhe një tjetër nuk vjen dot në pushtet. Protestat, janë shenja për të mbuluar kriza të brendshme. Opozita është forcë që e ka humbur rrugën. Në PD unë nuk pres që të ketë ndryshim, pasi të gjithë njerëzit në atë parti rreshtohen në krah të Berishës, pafytyrësisht.
Të gjitha kanë hall se si duken në sytë e Berisha, se sa si duken në sytë e publikut. Më shumë se sa duhet t’i shërbejnë publikut, i shërbejnë liderit. “21 Janari”, lidhet me fatin politik të Berishës. “21 Janari” do të ketë ndikim nëse ai shpallet fajtor. Berisha është i fuqishëm për të shantazhuar dhe për të kërcënuar drejtësinë. Ai është i shqetësuar për “21 Janarin”, “Partizanin” dhe çdo dosje që është hapur kundër tij. Unë mendoj se vetë Berisha pasi u shpall “non grata”, ai u rikthye dhe bëri çmos që ta marrë partinë vetëm që të mbrohej nga gjykata.
Nuk kishte se ta bënte gjithë këtë, e ka zhytur opozitën, e ka përdorur si një instrument për t’u mbrojtur nga drejtësia. Berisha nuk po bën asgjë për ta shëndoshur PD-në, por përkundrazi po e kthen atë parti në një minorancë. Po e përdor partinë si gardh mbrojtës nga gjykata. Berisha pengon çdo zë kundërshtar në PD, nuk lë as mizën të pipëtijë dhe udhëheq drejt asgjëje. Kjo parti po shkon drejt absurdit dhe po normalizon absurdin brenda saj, dhe kjo vetëm për të mbrojtur vdekjen politike të Berishës”, tha Mërtiri.

