TIRANË- Në emisionin “Real Story” në ABC News, gazetari Luan Rama u shpreh se pa Fatos Nanon, PS nuk do të krijohej.
Gjatë intervistës, Luan Rama ndau disa detaje të rëndësishme dhe rrugëtimin e Fatos Nanos, duke thënë se ishte njeriu që ka iniciuar ndryshime të mëdha në mentalitet, si edhe kulturë politike.
“Fatosi nuk, e ndante vetën asnjëherë si një protagonist i veçuar, por bashkë me të tjerët. Ka iniciuar ndryshime të mëdha në qasje, mentalitet e kulturë politike. Në ’91 është bërë kryeministër dhe që u detyruar të largohej për shkak të situatës që ndodhi me ngjarjet e 2 prillit në Shkodër. Dëshmoi më pas që e mori në një moment shumë të vështirë vetë partinë e punës që u bë socialiste. Dhe ky gjest duhet vlerësuar sepse Nano nuk e bëri për karrierë, por për përgjegjësi qytetare. Kongresi ka një histori shumë interesante. Ka qenë mundim i madh se kush do ta drejtonte Kongresin. U detyrua ta mbante Xhelil Gjoni. U bë një gjyq me dyer të mbyllura, në emër të delegatëve të Fierit u bë një propozim nga Kiço Londo. Shumë njerëz u shmangën për drejtimin e seancës dhe atë e drejtoi Gramoz Ruçi. Kanë dalë me radhë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike dhe janë vënë në bankën e të akuzuarit. Unë kam bindje që pa Fatos Nanon PS nuk do të bëhej ajo që u bë më pas”, tha ai.
/abcnews.al/

