Carlo Ancelotti pritet të zyrtarizohet si trajner tek anglezët e Everton. Italiani u largua para pak ditësh nga Napoli dhe do të rikthehet në Premier League, ku më parë ka drejtuar londinezët e Chelsea. “Telegraph” raporton se në orët në vijim do të firmoset edhe kontrata, që do të jetë e vlefshme deri në qershor të vitit 2024. Të dielën vjen zyrtarizimi dhe të hënën prezantimi.
Besim i madh tek italiani dhe kjo shikohet edhe nga kohëzgjatja e marrëveshjes. Objektivi është që Evertoni të jetë në vazhdim në gjashtë ekipet e parë në Premier League. Për ta bindur atë drejtuesit e klubit i kanë garantuar liri në zgjedhjet e merkatos së janarit, kështu që pritet të ketë afrime.
Gjithashtu i janë premtuar investime të rëndësishme, që garantojnë edhe realizimin e objektivave të klubit dhe nisja e një cikli të ri me Ancelottin në qendër të projektit. Tashmë ai ka përcaktuar edhe stafin, teksa me vete do të ketë edhe djalin e tij, Davide, si dhe dhëndrin e tij, Mino Fulco. Ai do të jetë dietologu i ekipit, kurse Francesco Mauri përgatitës atletik. /abcnews.al