Anduena Sefgjini, ka ndarë në emisionin “ABC e Mëngjesit” rrëfimin e saj personal për humbjen e peshës dhe transformimin e jetës. Pas disa viteve me mbipeshë, lodhje të vazhdueshme dhe përgjumje të shpeshtë, ajo arriti të humbasë 40 kilogramë brenda një viti, duke kaluar nga 110 kg në 71 kg.
“Sa herë ulesha për të ngrënë, mund të konsumoja gjysmën e një buke në çdo vakt. Nuk rezistoja dot ndaj brumërave,” – tregon ajo.
Në kulmin e mbipeshës, Anduena filloi të përballej me nivel të lartë të sheqerit në gjak dhe përgjumje të tepërt, që shpesh e pengonin në aktivitetet e përditshme. Mjekët dyshuan për diabet të fshehtë, ndërsa analizat treguan mungesë të vitaminës D.
Një ngjarje në dukje e zakonshme në plazh ndryshoi gjithçka. “Isha në plazh me djalin dhe më zinte gjumi pa orar. U frikësova. Mendova se do ta humbja nga sytë, dhe aty mora shtysën time për të nisur dietën.”
Rrugëtimi nuk ishte i lehtë. Për gjashtë muaj rresht, ajo humbi vetëm 100 gramë, por vazhdoi me durim. “Barku më ishte bërë aq i madh sa e prekja me këmbë”, – kujton Anduena. Edhe pse ndryshimet në peshore ishin të vogla, ajo ndiente çdo ditë lehtësim dhe energji më të madhe.
Sot, me 40 kilogramë më pak dhe një mënyrë jetese më të shëndetshme, Anduena tregon se sekreti qëndron te vullneti, durimi dhe kujdesi ndaj vetes.

