Ishte e vetmja gjë që i mungonte. Granit Xhaka kurorëzoi një sezon të madh deri tani në Premier Ligën angleze me Sandërlendin, duke shënuar gol në sfidën mes Sandërlendit të tij dhe Evertonit.
Ishte fillimi i pjesës së dytë, kur kapiteni i Zvicrës vendosi barazpeshën në rezultat, 1-1, dhe këto ishin shifrat me të cilat u mbyll sfida.
Goli i parë i shqiptaro-zviceranit ndihmoi që “Macet e Zeza” të mos njohin ende humbje në shtëpi pas 10 javësh kampionat, e madje të jenë në vend të katërt në renditje, me 18 pikë, po aq sa Liverpuli kampion që është i treti.
Xhaka është vlerësuar lart këtë stinor futbollistik në Sandërlend, duke i dhënë edhe shiritin e kapitenit, ndërsa vlerësohet si lokomotiva që çon përpara ekipin.
Deri tani ai kishte shërbyer tre asiste, e pikërisht në ndeshjet ndaj Brentfordit, Aston Vilës dhe Notingem Forestit, me përfundim dy fitore e një barazim. Edhe pse është 33 vjeç, mesfushori me origjinë nga Kosova ka një formë të shkëlqyer, duke kaluar një nga periudhat më të bukura në karrierë.
Kujtojmë se ai luajti për Bazelin në Zvicër, Borusian e Mynshengladbahut në Gjermani, Arsenalin në Angli, Leverkusenin në Gjermani ku fitoi edhe Bundesligën, e tani u rikthye në Premier Ligën angleze tek Sandërlendi.


