Trafiku i drogës po e shndërron Belgjikën në një narkoshtet dhe sunimi i ligjit është në rrezik.
Ky ishte paralajëmrimi i fortë i një gjyqtari të Antwerp, në një letër anonime, ku i kërkon qeverisë ndihmë urgjente.
Gjyqtari theksoi se ajo që po ndodh në Belgjikë nuk është më një çështje klasike krimi, por një kërcënim i organizuar që minon institucionet e vendit.
Strukturat e gjera të ngjashme me mafian kanë zënë rrënjë, duke u bërë një pushtet paralel që sfidon jo vetëm policinë, por edhe gjyqësorin. Pasojat janë serioze: a po evoluojmë në një narko-shtet? Sipas komisionerit tonë të drogës, ky evolucion është tashmë në proces.
Porti i Antwerp në Belgjikë ka shërbyer si një portë hyrëse për trafikun e drogës në Europë. Ndërkohë kryeqyteti i vendit, Brukseli, është prekur nga incidente me armë zjarri të lidhura me drogën. Këtë vit janë shënuar më shumë se 60 incidente, prej të cilave 20 ndodhën në verë.
Në letrën anonime, gjyqtari thekson se një narkoshtet karakterizohet nga një ekonomi e paligjshme, korrupsion dhe dhunë, kushte që Belgjika i përmbush, sipas tij. Gjyqtari vëren se rrjetet e pastrimit të parave rrisin kostot e pasurive të paluajtshme, teksa korrupsioni depërton në institucionet shtetërore.
Ky ryshfet depërton në institucionet tona. Çështjet që kam drejtuar vitet e fundit kanë rezultuar në arrestime të punonjësve në pozicione kyçe portuale, oficerëve të doganave, oficerëve të policisë, nëpunësve komunalë dhe, për fat të keq, madje edhe të stafit të sistemit të drejtësisë.
Ai gjithashtu vë në dukje se si atentatet apo rrëmbimet, porositen lehtësisht në internet, madje jo në rrjetin e errët, por në Snapchat.
Për të trajtuar incidentet e dhunshme dhe me raste fatale, ku shpesh kanë qenë protagonistë edhe shqiptarë, Ministri i Brendshëm i Belgjikës, ka thënë se dëshiron të nxjerrë ushtarë në rrugët e Brukselit. Më herët këtë vit, qeveria belge miratoi bashkimin e gjashtë zonave policore të Brukselit në një njësi të vetme, që do të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027.

