Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Apeli lë në burg Gjon Shkambin

schedule10:40 - 27 Tetor, 2025

schedule 10:40 - 27 Tetor, 2025

Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Gjon Shkambin, xhaxhain e Elvis Shkambit autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, si dhe për Banush Koxhajn, punonjësin e sigurisë në gjykatë.

Kështu, kërkesa e bërë nga Gjon Shkambi për një masë më të butë sigurie duke pretenduar se nuk e dinte që nipi ishte i armatosur u rrëzua, ndërsa edhe ankimi i bërë nga Koxhaj nuk u pranua nga trupa gjykuese. Mësohet se Gjon Shkambi para togave të zeza ka shprehur pendesë duke thënë se do tentonte ta ndalonte nipin por nuk kishte dijeni për planin e Elvis Shkambit.

Të dy do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, në pritje të përfundimit të hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 6 tetor, kur Elvis Shkambi, nipi i Gjonit, vrau gjyqtarin Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, pasi ky i fundit kishte dhënë një vendim kundër familjes Shkambi.

Përveç vrasjes së Gjyqtarit Kalaja, Elvis Shkambi plagosi  me pistoletë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, pjesë e palës kundërshtare në procesin gjyqësor për një godinë në Shkodër.

Prokuroria e Tiranës thotë se Gjon Shkambi kishte dijeni për planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq. Madje Prokuroria thotë se Gjon Shkambi ka rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir, që jetojnë në pronën e pretenduar prej tij.

Grupi hetimor konstaton se Gjon Shkambi vazhdimisht ka bërë kërcënime në emisione televizive për të vrarë sipas tij ata që i kanë zaptuar godinën trekatëshe në Shkodër. Madje vetë familjarët që jetonin në këtë godine sipas prokurorisë kanë kallëzuar në polici për kanosjet e marra./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!