Igli Tare u shpall drejtori më i mirë sportiv në Serie A dy vite më parë. Puna fantastike e vlonjatit vazhdon dhe Lacio e tij renditet në vend të tretë, tre pikë larg kryesuesve të Juventusit dhe Interit.
Drejtori sportiv i klubit bardhekaltër është në garë për një tjetër çmim prestigjioz. 46-vjeçari është një nga kandidatët kryesorë në “Globe Soccer Awards”, për kategorinë e drejtorit më të mirë sportiv.
Nuhatja e talenteve dhe blerja e tyre për një shumë të vogël, për t’i rritur e shitur më pas për shumë milionë më tepër, janë disa nga pikat e forta të Tares, teksa shqiptari ka aftësi për t’i dhënë fund edhe krizave ose për të “zbutur” lojtarët e rebeluar.
Tare e ka garën me emra si: Eric Abidal (Barcelona), Marc Overmars (Ajax) dhe Andrea Berta (Atletico Madrid), teksa ceremonia do të mbahet me datë 29 dhjetor. /abcnews.al