Një Tiranë ndryshe, e parë me sytë e kujtimeve dhe me ngjyrat e një artisti që është rritur në rrugicat e saj, ka marrë jetë në telajot e piktorit Dastid Miluka.
Pas viteve larg, Miluka është rikthyer në kryeqytet me një ekspozitë që flet për ndryshimin, mallin dhe frymën e qytetit që “është ende në proces”.
I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC Neës, piktori rrëfeu se ky projekt ka qenë një kërkim i gjatë, një udhëtim mes kujtimeve dhe realitetit të ri të Tiranës që, sipas tij, “ka filluar t’u ngjajë qyteteve europiane”.
“Ka qenë një hulumtim goxha i gjatë në fakt doja ta bëja këtë gjë. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Në fakt Tirana është qyteti ku unë kam lindur, por ngaqë kam vite që jetoj jashtë Tiranës kam humbur këtë pjesën e zhvillimit. Ka filluar t’u ngjajë qyteteve europiane.
Tirana është një pikturë që është ende në proces, kjo e bën edhe më interesante. Më është dashur shumë kohë, kam kaluar në të gjitha rrugicat që jam rritur dhe mbaja mend. Kam kaluar nëpër Bulevardin e Tiranës. Kam kaluar në gjithë këtë pjesën që të gjithë e njohim. Kam qenë një hulumtim goxha i gjatë në fakt, sepse në fund e dija që do të ishte vetëm një grumbullim materialesh, pra një frymëzim. Dhe e gjithë krijimtaria do të vazhdonte në atelie.
Është teknika që përdor shumë ngjyra. Prandaj edhe për pjesën e Tiranës do të doja që çdo pikturë apo çdo krijim të kishte të veçantë, origjinale dhe doja që të sillja diçka që të ishte e ndryshme të paktën nga ajo se ç’ka jemi mësuar të shohim deri tani”, tha piktori./abcnews.al

