Italia largon fantazmat e një tjetër dështimi të madh në futboll. Të paktën për momentin të kaltërit e drejtuar nga Genaro Gattuso mund të bëjnë një frymëmarrje lehtësuese, pasi siguruan të paktën një vend në play of e Botërorit të ardhshëm.
Italianët fituan 3-0 sfidën direkte kundër Izraelit, duke vulosur vendin e dytë në Grupin I, ndërsa tani mund të sulmojnë edhe kreun që mbahet nga Norvegjia.
Heroi i vendasve në sfidën e luajtur në Udine ishte Mateo Retegui.
Me 11 metërsh, sulmuesi kaloi në epërsi skuadrën e tij në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë.
Pas pushimit, sërish Retegui realizoi golin e dytë dhe të qetësisë për italianët, që në shtesë vulosën fitoren me mbrojtësin Mançini.
Me këtë fitore, të kaltërit ngjiten në kuotën e 15 pikëve në vendin e dytë të Grupit I, tre pikë më pak se kryesuesit e Norvegjisë.
Kur mbeten edhe dy ndeshje deri në fund të eliminatoreve, të besuarit e Gatusso do të kërkojnë vendin e parë, që do t’I lejonte të ktheheshin nga dera kryesore në finalet e një Botërori, pasi munguan në dy turnetë e fundit.
Nuk ka këto probleme Spanja.
Kampionët e Europës hodhën një tjetër hap të sigurtë drejt kualifikimit në finalet e Kupës së Botës, duke siguruar fitoren e katërt në po aq ndeshje të Grupit E.
“Futitë e kuqe” mundën 4-0 Bullgarinë, falë një tjetër paraqitje të shkëlqyer.
Migel Merino kaloi në epërsi vendasit në minutën e 35-të, ndërsa po vetë mesfushori I Arsenal dyfishoi shifrat me rikthimin në fushë për pjesën e dytë.
Në fundin e sfidës, Spanja mbylli ndeshjen, falë autogolit të Cernev dhe 11-metërshit të ekzekutuar saktë nga Oyarzabal në shtesë.
Me këtë fitore, kombëtarja spanjolle kryeson me 12 pikë të plota Grupin E, ndërsa kualifikimi është vetëm çështje kohe.

