Vettingu në Polici, KJV konfirmon në detyrë Drejtorin i Policisë Kriminale

schedule09:45 - 18 Dhjetor, 2019

schedule 09:45 - 18 Dhjetor, 2019

Drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj doli sot para Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, ku iu nënshtrua procesit të vettingut, në të trija kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe anës profesionale.

Në këtë seancë dëgjimore, Vocaj u përballë me gjetjet e komisionit, lidhur me një sipërfaqe toke në Lezhë, një foto e bërë publike në media ku drejtori Vocaj shfaqej nën shoqërinë e Arben Frrokut, ky i fundit i dënuar përjetë për vrasjen e ish komisar Dritan Lamajt, si dhe me dy kallëzime penale kur ai ishte në krye të policisë në Tiranë e Durrës.

Ndërkohë, lidhur me pastërtinë e figurës, komisioni tha se nga informacionet e institucioneve përkatëse rezulton se ka certifikatë sigurie, nuk ka patur hetime administrative nga avokati i popullit apo ankesa të bëra në Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit, nuk ka qenë anëtar apo bashkëpunëtor nga sigurimi i shtetit, i hetuar apo i përfshirë në spiunazh dhe akte terroriste.

Për të, Komisioni evidentoi dy kallëzime penale, njëra e bërë në vitin 2009 kur Vocaj mbante detyrën e drejtorit në Policinë e Tiranës, e një tjetër në vitin 2004, kur ishte në postin e drejtorit në Policinë e Durrësit.

Për të dyja rastet, tha Komisioni, nga prokuroritë përkatëse nuk ka filluar procedim penal, për shkak se sipas organit të akuzës, nuk ka pasur kryerje të veprave penale.

E ndërsa në lidhje me foton e publikuar në media, ku Vocaj ndodhet në të njëjtën tavolinë me Arben Frrokun, drejtori i Policisë Kriminale sqaroi se me Frrokun ishin njohur në vitin 2006 në shkollë, e ndërsa foton ai e ka bërë vetë publike në Facebook, foto kjo e realizuar në vitin 2011, në një kohë që vrasja e ish komisarit Lamaj është bërë në 2013.

Vocaj shpjegoi se nuk ka pasur djeni se mes Frrokut dhe Lamajt ka pasur ndonjë konflikt, e se për vrasjen e ish komisarit, vetë Vocaj është marrë personalisht me dokumentimin dhe arrestimin e autorit të vrasjes.

Si në rastin e vettingut në Drejtësi edhe në vlerësimin e policisë të gjithë ata që do të kalojnë në sitë do të njihen me gjetje e hetimit administrativ për sa i përket pastërtisë së figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale.

Ndryshe nga vettingu në drejtësi, në vlerësimin kalimtar të policisë nuk ka komision të posaçëm apelimi. Vendimet e KJV-së mund të ankimohen drejtpërdrejt në gjykatën administrative kompetente.

Seancat e Vettingut në polici nisën zyrtarisht në 5 nëntor, ku i pari që doli para komisionit ishte Oltion Shehu, shef i ankesave në Tiranë, i cili u përjashtua nga policia.

Sipas hetimit të kryer nga ana e komisionit të jashtëm të vlerësimit, Shehu, nuk arriti dot që të justifikonte një shumë parash prej rreth 1.4 milionë lekë. Ndërsa i dyti Adriatik Ago, zëvendës drejtor i SHÇBA-së, u konfirmua në detyrë./abcnews.al