Mbi 800 fermerë në të gjithë vendin kanë aplikuar për të përfituar nga Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi. Shifrat janë bërë publike nga ministri I bujqësisë Andis Salla përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se interesi ka qenë i lartë për të përfituar nga 9 masat mbështetëse.
Ato përfshijnë investimet për ndërtimin e serave diellore, mbjellje me pemë frutore dhe vreshta, sisteme moderne të ujitjes, përpunimin dhe paketimin e produkteve bujqësore, zhvillimin e agroturizmit si dhe mbështetjen për sektorin e akuakulturës. Janë 20 milionë euro të vëna në dispozicion të fermerëve përmes Skemës Kombëtare të Investimeve për këtë vit.
Fermerët përfitojnë mbështetje në formën e granteve në masën 50% të vlerës së investimit, kredi të buta me normë interesi të ulët 2% si dhe garancia sovrane për lehtësuar aksesin e fermerëve në financim, pasi bujqësia është një ndër sektoret më të nënfinacuar në vend.
Me përmbylljen e fazës së aplikimeve, tashmë procesi sipas ministrit Salla do të kalojë në fazën e shqyrtimit të tyre bazuar mbi kriteret përcaktuese.
Veç linjës së kredisë për sektorin bujqësor, është krijuar edhe Banka e Zhvillimit që synon të mbështesë kryesisht fermerët dhe sipërmarrjet e vogla që kanë qasje të kufizuar në financim me qëllim rritjen e investimeve dhe prodhimit vendas./abcnews.al

