Për herë të parë, Edi Rama komentoi dekretin e presidentit për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.
Duke sjellë si shembull një nga këshilltarët e presidentit Begaj, kryeministri tha se për antikushtetutshmeri mund të flasin vetëm ato që nuk kanë njohuri ligjore.
“Ata që diskutojmë legjitimitetin e dekretit nuk kanë faj, sepse nuk kanë as shkollën, as pavarësinë intelektuale të Ilir Rusmalit, këshilltarit juridik të Presidentit dhe ministër të Drejtësisë të PD që vetëm për integritetin e tij dha dorëheqjen dhe nuk pranoi të bëhej palë me korrupsionin që degradoi në një tragjedi makabre që tmerroi Shqipërinë dhe pataksi botën, diku pak më larg se këtu, në Gërdec.”
Në episodin e parë për këtë sezon të podcastit “Flasim”, ku të ftuar kishte Ogerta Manastirliun, kryeministri tregoi arsyet e përzgjedhjes së saj, si e besuara e socialistëve për kryeqytetin.
“Në të gjitha anketimet dhe në të gjitha rrugët e testimit të opinionit, ti ishe kryetarja e bashkisë që shumica donte me diferencë nga çdo lloj emri tjetër që kemi testuar dhe kam dhe dëshmitarë për këtë.”
Ndërsa rrëfeu hapat e parë në politike, nga fushata e Edi Ramës në vitin 2000, tek shëndetësia, e deri tek kandidatura për Bashkinë e Tiranës, Manastirliu, thotë se përgjegjësia që i është besuar nuk është vetëm për të çuar përpara transformimin e Tiranës, por si trampolinë edhe për ambicien e Shqipërisë drejt BE-së.
“Unë jam thirrur në detyrë dhe kjo është një thirrje në detyrë për një mision historik; dhe nuk e shoh këtë detyrë thjesht si të radhës e shoh si një përgjegjësi te e cila varet e ardhmja e qytetit, që nga përditshmëria e njerëzve: si ta bësh qytetin më të jetueshëm, si ta bësh qytetin më të gëzueshëm, si mund të ndërtojnë familjet kujtime.”
Por si e priti ajo vetë por edhe familja kandidimin e saj në krye të Tiranës?
“Altea më tha: ‘Si ka mundësi që nuk të pyeti?’ Emili më tha: ‘Po mirë, nuk ke çfarë t’i bësh; tani do e bësh edhe këtë gjë.’ Ermali ishte, në fakt, i vetmi që, nuk e di pse herët e tjera ka ndodhur, por kësaj radhe nuk më shkroi direkt dhe as nuk më komunikoi shpejt. Pastaj patëm një bisedë të gjatë, por është e gjatë.”
Ndërsa për kryeministrin Rama nuk ka dilema. Manastirliu do të jetë gruaja e parë në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Besoj se Tirana do të ketë jo vetëm të parën grua kryetare bashkie në historinë e vet, por një kryetare bashkie që nuk do mbetet jashtë atij grupi njerëzish që, në këtë qytet, kanë bërë histori.”/abcnews.al

