Muri me Meksikën, këshilltari: Trump ka ndryshuar mendim

schedule13:56 - 18 Janar, 2018

schedule 13:56 - 18 Janar, 2018

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka mohuar zërat se ka ndryshuar pikëpamje sa i takon projektit për ngritjen e murit në kufirin me Meksikën. Reagimi ka ardhur pasi shefi i tij i personelit, John Kelly tha për Fox News se opinioni i kreut të shtetit sa i takon ndërtimit dhe financimit të murit sot është ndryshe nga ai i shprehur gjatë fushatës elektorale të vitit 2016.

“Fushata është shumë ndryshe nga qeverisja”, tha Kelly në një debat për emigracionin. Por pak orë më vonë ka ardhur reagimi i Trump, i cili përmes një postimi në profilin e tij në Twitter ka deklaruar se, “në mënyrë direkte apo indirekte Meksika do të paguajë për murin”. Zoti Kelly tha gjithashtu se, gjatë fushatës Trump kishte qenë i painformuar sa i takon situatës në kufi. Por reagimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë duket se nuk lë vend për interpretime. “Muri është mur dhe mendimi im që nga dita kur e kam ngjizur e deri më sot nuk ka ndryshuar. Disa pjesë të tij, nisur nga nevojat, do të rishikohen pasi nuk është konceptuar kurrë të ngrihet në zona të mbrojtura natyrore si male, djerrinë, apo lumenj”, ka thënë Trump në Tëitter. Vlera e murit llogaritet deri në 20 miliardë dollarë dhe gjatë fushatës presidenti amerikan premtoi se faturën për ndërtimin e tij do ta paguante tërësisht Meksika. Reagimi i fundit i presidentit vjen në një moment kur debati për emigracionin në Shtetet e Bashkuara është më i nxehtë se kurrë, për faktin se administrata amerikane po punon për të shfuqizuar ligjet që garantojnë mbrojtjen e emigrantëve të lindur në Amerikë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!