TIRANË– Pensionet pritet të indeksohen në vlerën 2.5 për qind.
Ky është vlerësimi i dalë nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët i përllogaritur nga Instituti i Statistikave, i cili pritet të marrë aprovimin në Këshillin Administrativ të Sigurimeve Shoqërore e më pas në qeveri.
Shtesa që pritet të marrin pensionistët është rreth 490 lekë, për pensionet urbane dhe 296 lekë për ato rurale.
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, në një intervistë për emisionin “Money Report” tha se kjo është një masë e pritshme dhe synon ruajtjen e fuqisë blerëse për pensionistët. Nunaj tha se bonusi që qeveria ka dhënë vitet e fundit pritet të vijojë.
“Një masë rritjeje që ishte e pritshme. Synim është të ruhet fuqia blerëse për pensionistët. Unë gjykoj për 2025, do jetë sërish bonusi, jo më ai bonusi i përhershëm 5 mijë lekë, por besoj se do jetë mbi 10 mijë lekë. Besoj se qeveria do vijojë t’i qëndrojë politikës së bonusit për aq kohë sa nuk do kemi një rritje reale të pensioneve, nëse rriten ato, atëherë duhet riparë politika e bonusit”, tha Nunaj.
Ajo shtoi se objektivi për ta çuar pensionin minimal në nivelin e 200 eurove është i arritshëm, ndërsa theksoi se zhvillimet ekonomike janë pozitive.
“Pensionet minimale në vlerën 200 euro janë të realizueshme. Ekonomia shqiptare në nivel makro është pozitive dhe ka stabilitet. Këto masa janë në linjë me pritshmëritë e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare”, deklaroi ekspertja./abcnews.al

