Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Gjërat Tona”/ Vrasja që nxiti gjakmarjen

schedule21:30 - 28 Shtator, 2025

schedule 21:30 - 28 Shtator, 2025

Mbrëmjen e 10 prillit të vitit 2012, trupi i pajetë i një personi u gjet i djegur brenda një makinë pranë Southampton, në Mbretërinë e Bashkuar. Policia arriti ta identifikojë shpejt viktimën, i cili ishte shqiptari Agim Hoxha, 29 vjeç. Nga analiza kriminalistike, rezultoi se ai ishte goditur për vdekje me një objekt metalik në kokë dhe më pas ishte futur në makinën ku autorët i kishin vënë flakën, duke e djegur.

Në këtë apartament ku ai jetonte, edhe pse ishte pastruar nga autorët e ngjarjes, Policia gjeti gjurmë gjaku dhe një shufër metalike, me të cilën dyshohej se ishte goditur i riu.
Policia britanike deklaronte në atë kohë se motivi i saktë i vrasjes së Agim Hoxhës ishte i panjohur, por besonte se ai u vra në një apartament në Shirley Road, Southampton për çështje droge. Analizat pas vdekjes zbuluan se ai kishte vdekur para se makina të digjej, pasi nuk u gjet tym në mushkëritë e tij.

Oficerët e policisë gjetën edhe 42 mijë paund të fshehura në njërën nga dy makinat e tij pas vdekjes. Kutia ishte e mbushur me kartëmonedha dhe ishte fshehur brenda bagazhit të një makine të dytë, një “Ford Mondeo” gri, që i përkiste Agim Hoxhës. Brenda, u gjet gjithashtu një sasi kokaine dhe heroine.
Duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë, në disa prej zonave ku kishte kaluar makina e viktimës, Policia arriti të identifikojë autorin e ngjarjes. Ishte Arben Lleshi, në atë kohë 27 vjeç, që në fakt ishte edhe shok fëmijërie me viktimën. Madje edhe aktivitetin e jashtëligjshëm të drogës ata dyshohej se e kishin zhvilluar bashkë, derisa marrëdhënia e tyre u prish, sipas policisë britanike për çështje konkurrence.

Arben Lleshi u hetua për disa javë me radhë. Madje me ngjarjen u morën gjerësisht edhe mediat britanike, që publikuan fotografi të tij të shkrepura pak ditë pas krimit, duke pirë shampanjë dhe duke shijuar një vakt të bollshëm në një hotel me pesë yje. Ai duket se jetonte një jetë luksi. Duke buzëqeshur, i lumtur para kamerës me një vajzë që sapo e kishte takuar në internet, Arben Lleshi po shijonte jetën pa asnjë hije shqetësimi në fytyrë për atë që sapo kishte bërë.

Por pas kësaj fasade në fakt ishte një vrasës, që ishte larguar nga Southampton për në Shqipëri, me mijëra paund në xhep, të cilat kishte dyshime se ia kishte marrë shokut që kishte brutalisht dhe trupin e të cilit e kishte djegur në makinë.
Në shkurt të vitit 2013 për Arben Lleshin filloi një dënim me burgim të përjetshëm që e detyronte të kalojë të paktën 32 vjet pas hekurave pasi u shpall fajtor për vrasjen e Agim Hoxhës.
Ky vendim ishte rezultat i punës së detektivëve që kishin kaluar dhjetë muaj duke punuar shumë për të zgjidhur një vrasje komplekse dhe të vështirë, që përfshinte një trup të paidentifikueshëm, një vrasës që ishte arratisur nga Mbretëria e Bashkuar në një vend pa traktat ekstradimi. Por edhe një viktimë që ishte një trafikant droge i nivelit të lartë, që nuk kishte kaluar kurrë në radarin e tyre dhe një vend krimi që fillimisht nuk mund të gjendej. Kërkimi për të kapur Arben Lleshin i çoi detektivët në një udhëtim mijëra kilometra larg dhe ishte një kombinim i punës së zgjuar të policisë dhe arrogancës tronditëse të Arbenit, i cili besonte se ishte i paprekshëm, që çoi në kapjen e tij.

Mediat britanike
Ishte e premtja e 13 prillit 2012, kur kumarxhiu dhe narkomani Arben Lleshi iku në Shqipëri, pasi kishte blerë një biletë vajtje-ardhje me para në dorë nga një degë e Thomas Cook në Southampton. Ndërsa një ekip prej më shumë se 100 oficerësh policie punonin pa ndërprerje për të provuar të zgjidhnin vrasjen, u bë e qartë se ai dhe fqinji i tij ishin të dyshuarit kryesorë. Por, megjithëse e kuptuan shpejt se Agim Hoxha ishte vrarë përpara se trupi i tij të digjej, policia mbeti e hutuar për gati dy javë se ku dhe si e gjeti vdekjen për shkak të pyetjeve të thella të një detektivi, të cilët i çuan në apartamentin nr. 285 Shirley Road. Brenda, pavarësisht përpjekjeve për të pastruar vendin e ngjarjes, ata gjetën gjurmë gjaku të Agimit, ndërsa në një vend të fshehur jashtë ndodhej shufra që u përdor për t’i dhënë një goditje fatale në kokë.

Fqinji që e kishte ndihmuar autorin u arrestua, por vetëm një muaj më vonë, më 11 maj 2012, Arben Lleshi u kap në Romë. Ai ishte ndaluar në një fluturim nga Shqipëria për në Mbretërinë e Bashkuar. Ishte arrestuar në vendin e tij para pasagjerëve të hutuar dhe nuk kishte kundërshtuar procedurat e ekstradimit, duke rezultuar në kthimin e tij me pranga, i shoqëruar nga oficerë të Hampshire, për t’u akuzuar për vrasje. Inspektori që drejtonte hetimin, tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të dërgonin detektivë në Romë, pasi nuk ishin të sigurt nëse Arben Lleshi do të kthehej ndonjëherë me dëshirën e tij. Inspektori tha se nuk mund të shkonin në Shqipëri, kështu që e vetmja mundësi ishte të prisnin derisa ai të hipte në avion dhe pastaj të vepronin. Megjithatë, nëse ai do të kishte zgjedhur të qëndronte atje, do ta kishin humbur. Nëse Arben Lleshi do të kishte zbritur nga avioni në Romë, ai mund të ishte zhdukur përgjithmonë.

Pas dënimit pati një deklaratë në mediat britanike edhe nga familjarët e viktimës, Agim Hoxhës, të cilët thanë se po prisnin që drejtësia të vihej në vend.

Deklarata e familjes
Ajo që familja jonë donte ishte drejtësia për vrasjen e Agimit. Drejtësia të vihej në vend. Falënderojmë Policinë e Hampshire për profesionalizmin dhe mbështetjen që kanë treguar gjatë gjithë këtij hetimi. Vdekja e Agimit ka lënë një boshllëk të madh në zemrat dhe jetën e nënës, babait, familjes së tij në Shqipëri dhe të afërmve të ngushtë në Mbretërinë e Bashkuar.

Agimi ishte një bir i mirë dhe i dashur, vëlla dhe miku më i mirë për të gjithë. Të gjithë ata që e njihnin e konsideronin atë një person të jashtëzakonshëm, plot mirësi dhe ngrohtësi dhe pavarësisht se në çfarë ishte përfshirë, ai nuk e meritonte që jeta e tij të merrej në një mënyrë të tillë ose në një moshë kaq të re.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!