Ekspozita e makinave retro solli këtë herë në Shqipëri klasikët e rrallë “Fiat Topolino”, që udhëtuan në qytete të ndryshme të vendit, duke sjellë me vete historinë dhe magjinë e automobilizmit italian.
Me pjesëmarrjen e pilotëve nga Shqipëria dhe Italia, ky aktivitet nuk konsiderohet vetëm një festë për pasionantët e makinave retro, por edhe një promovim i turizmit kulturor dhe historik të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga udhëtimi i karvanit “Fiat Topolino” në Shqipëri, makina ikonë e prodhuar për herë të parë në vitin 1936 dhe një nga simbolet e motorizimit masiv në Europë.
“Udhëtimi i karvanit ‘Fiat Topolino’, që nga Kruja, Berati, Vlora, Llogoraja e deri në Butrint, Ksamil, Gjirokastër, Korçë e Pogradec, duke bashkuar pasionin për makinat retro me kulturën dhe mikpritjen shqiptare”, u shpreh Rama.
“Fiat Topolino” konsiderohet një nga makinat më të dashura italiane, simbol i rikuperimit ekonomik pas Luftës së Dytë Botërore.
Simbol i thjeshtësisë dhe dizajnit elegant italian, “Fiat Topolino”, pas më shumë se tetë dekadash vazhdon të ngjallë emocione dhe të mbajë gjallë historinë e automobilizmit.

