Pas votëbesimit të qeverisë së re, “Rama 4”, në Kuvendin e Shqipërisë ditën e djeshme, 18 shtator, këtë të premte 16 ministrat dhe kryeministri Rama bënë betimin para Presidentit Bajram Begaj.
Pas, betimit si ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj intervistën e parë të saj e jep në emisionin “Sheshi i Dollarit”, në ABC News. Për gazetaren Genta Dobra, Ibrahimaj tregoi emocionet e marrjes së detyrës së re. Duke shtuar se emërimin në këtë dikaster nuk e priste. Ajo shton se kryeministri Rama asnjëherë nuk ka dhënë sinjale për emërimet në qeverinë e re. Megjithatë ajo shton se në të gjitha rastet dhe postet, do të jepte njësoj kontributin e saj me përkushtim dhe profesionalizëm.
“Në fakt nuk e prisja. Sigurisht që secili nga ne që ka qenë pjesë e qeverisjes sigurisht që ka dhënë një kontribut edhe në hartimin e programit dhe në hartimin e planeve. Patjetër që secili nga ne ka ato ëndrrat dhe dëshirat e veta. Por, kryeministri Rama nuk e ka zakon që të shfaqë, apo të japë shenja për kabinetin paraprakisht. Por, ai pranon që ta bëjë publik live, siç ndodhi herën e parë kur unë u emërove në krye në Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë. Pra nuk e dija se çfarë të prisja. Në maj unë u betova edhe si deputete. Në të gjitha rastet do të kisha dhënë kontributin tim, në ekspertizën time qoftë në Parlament, qoftë në tashmë si pjesë e qeverisë në një institucion që për shkak të eksperiencave time të mëparshme e njoh dhe ndjehem komode, pasi jam e bindur kemi hartuar një program që është i qëndrueshëm. Kemi hartuar një program i cili ka pritshmëri të mëdha për ekonominë shqiptare dhe një program që besoj se është totalisht i realizueshëm, në mos i tejkalueshëm”, tha ministrja Delina Ibrahimaj./abcnews.al

