Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar nga Ardian Dvorani, ka publikuar sot listën paraprake me emrat e kandidatëve për postin e rëndësishëm “Inspektor i Lartë i Drejtësisë”. Në një njoftim për mediat, thuhet se i pari, me pikët maksimale është kandidati Artur Metani (89.6 Pikë). I dyti është Sokol Stojani me 89 pikë. Por, KED thekson se këto ditë do të zhvillojë mbledhjen e radhës, ku do të shpallë renditjen finale dhe vendimet e arsyetura për çdo kandidat.
Artur Metani është aktualisht Avokat Shteti, ndërsa më herët ka patur pozicione drejtuese në administratë. PD-ja i ka kërkuar që në gusht, KED ta skualifikonte Metanin. Asokohe, opozita është shprehur se “kandidatura e Artur Metanit për ILD është antikushtetues dhe antiligjor, ndaj kërkojmë nga KED të rishikojë vendimin e saj dhe të skualifikojë kandidaturën në fjalë. Në të kundërtën askush nuk beson më në pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë nga Kryeministri, i cili po i kthen në organe private të tij”.
Deklarata e plotë e KED dhe pikët për secilin prej kandidatëve:
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në mbledhjen e tij të datës 11.12.2019, ka vendosur fillimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe po në të njëjtën ditë ka realizuar edhe intervistat me kandidatët e lejuar për këtë vend vakant.
Në zbatim të nenit 239 pika 3 të ligjit nr.115/2016, duke vijuar të qëndrojë i mbledhur deri në përfundimin e procesit të vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve, pasi e përfundoi punën e tij për shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët dhe atij të siguruar nga Këshilli në komunikimin me institucionet e tjera lidhur me të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kandidaturës dhe të të dhënave të nxjerra nga intervistat me kandidatët, ditën e sotme, data 16.12.2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi realizoi diskutimin mbi vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve të lejuar për Inspektor i Lartë i Drejtësisë.
Rezultati paraprak i pikëzimit për secilin kandidat të vlerësuar është si më poshtë:
1. Artur Metani 89.6 Pikë
2. Eris Hysi 78.3 Pikë
3. Joana Asimi Sorraj 82.5 Pikë
4. Lindita Troja 63.4 Pikë
5. Sokol Stojani 89 Pikë
Krahas procesit të punës për zbardhjen e vendimeve të arsyetuara për vlerësimin dhe pikëzimin e secilit kandidat të lejuar, në zbatim të nenit 239 të ligjit nr.115/2016 dhe të pikave 67-74 të Vendimit nr.5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit, do të shqyrtohen dhe miratohen:
a) Lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;
b) Raporti i arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, do ti dërgohen Lista Përfundimtare e Renditjes së Kandidatëve dhe Raporti i Arsyetuar i Këshillit ku përmbahet analiza lidhur me plotësimin ose jo të kushteve ligjore të kandidimit nga secilit kandidat në vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedurën e ndjekur në vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar, si edhe aktet përkatëse të verifikimit dhe të vlerësimit e pikëzimit për secilin kandidat.
Artur Metani është aktualisht Avokati i Përgjithshëm i Shtetit i emëruar nga Kryeministri Edi Rama.
Kjo është skeda e tij zyrtare:
Artur Metani ka lindur në Krujë, më 29.01.1974. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 1996, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, ndërsa studimet pasuniversitare i ka kryer në të Drejtën Kushtetuese të Krahasuar, në Universitetin e Europës Qendrore, në Budapest, në Departamentin e Studimeve Ligjore (1997), si dhe në Universitetin e Utah, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u diplomua për të Drejtën e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore (1998).
Në vitet 1999 – 2002, ka punuar si koordinator i programit ligjor në Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Më pas, ka një përvojë të gjatë pune prej vitit 2002 deri më 2012, si këshilltar ligjor në kabinetin e Presidentit të Republikës, të Presidentit Meidani, Presidentit Moisiu dhe Presidentit Topi. Në nëntor 2013 është emëruar Drejtori i Njësisë së Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Kontrollit të Brendshëm, në Kryeministri, detyrë të cilën e ushtroi deri në datën e emërimit të tij si Avokat i Përgjithshëm i Shtetit.
Ka punuar, gjithashtu, si këshilltar ligjor i jashtëm në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, si dhe ekspert i jashtëm për EURALIUS dhe PAMECA. Gjithashtu, ka qenë anëtar i bordit të Komitetit të Helsinkit në Shqipëri, si dhe ka një përvojë të gjatë në mësimdhënie si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë.
Artur Metani u emërua Avokat i Përgjithshëm i Shtetit me Urdhër të Kryeministrit, nr. 156 datë 22.10.2018.
/abcnews.al