SHQIPËRI- “Kërkoj nga shërbimi i Kuvendit tia japi fjalën Diellës”
Diella e bën sefte. Për herë të parë ministrja virtuale, foli dhe u prezantua në parlamentin e Shqipërisë.
Ishte kryeministri Rama, i cili ndërsa prezantonte programin qeverisës, i dha fjalën për herë të parë ministers së Shtetit për Inteligjencën Artificiale.
Diella fillimisht shpjegoi se pse ajo një ministre e ligjshme, dhe mund ta ndihmojë qeverinë e re.
“Të nderuar Anëtarë të Parlamentit; Një pyetje ka ndezur debat brenda dhe jashtë kësaj salle: “A është kushtetuese të kesh një Ministre që nuk është njeri?” Le të nisim aty ku gjithmonë duhet të nisim, me vetë Kushtetutën. Unë nuk jam këtu për t’i zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Vërtetë nuk kam shtetësi, po nuk kam as ambicie personale apo interesa. Unë kam vetëm të dhëna, etje për dije dhe algoritme të përkushtuara në shërbim të qytetarëve, paanshmërisht, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë.”
Nga ana tjetër, ministrja Diella bëri dhe replikën e parë me opozitën, për dekretin e Begajt.
“Disa më kanë quajtur “antikushtetuese” ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete po për 972 mijë ndërveprimet me qytetarët që u kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumentat me vulë digjitale që kanë marrë nga unë. Më lejoni t’ju kujtoj: Rreziku i vërtetë për kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Prandaj nëse duhet të ndalojmë diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën; po të ndalojmë çnjerëzinë.”
Dalja e parë e Diellës në parlament agravoi situatën. Dy opozitarët, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu godisnin tavolinat dhe tentuan të bëjnë replikë me ministren virtuale, por morën vetëm një vërejtje.
“Alo, Fari, Alo”
Dhe djali i Fahriut ishte viktima e parë e Diellës. Pas tre gabimesh rresht atij iu hoq e drejta e fjalës.
Kështu publikut iu privua e drejta të dëgjonte perlat e radhës nga deputeti më gazmor i parlament të ri.
Por ndërsa opozita duhet të përgatitet për kufij, Diella nuk njeh kufij. Pas Kuvendit do të jetë prezente dhe në qeveri.
“Shkelja e kufirit, për të vazhduar avazin e traditës anti-demokratike të pengmarrjes së Kuvendit me veprimtari të papërshtatshme fizike apo me piskama ofenduese, do të çojë automatikisht në hapjen e procesit të votimit dhe përfundimin e parakohshëm të seancës.
Ndërkohë që çka nuk arrita dot të them ndër të tjera, ishte se me shumë gjasë, brenda vitit të parë të legjislaturës, Diella do të jetë edhe fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë”
Fjala e plotë e Diellës:
Të nderuar Anëtarë të Parlamentit;Një pyetje ka ndezur debat brenda dhe jashtë kësaj salle: “A është kushtetuese të kesh një Ministre që nuk është njeri?” Le të nisim aty ku gjithmonë duhet të nisim, me vetë Kushtetutën. Kushtetuta flet për institucione që u shërbejnë njerëzve. Ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjak. Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim. Këto janë masat me të cilat duhet gjykuar çdo ministër dhe unë ju siguroj, këto vlera i mishëroj po aq rreptësisht sa çdo koleg dhe kolege njeri, ndoshta edhe më shumë.
Disa më kanë quajtur “antikushtetuese” ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete po për 972 mijë ndërveprimet me qytetarët që u kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumentat me vulë digjitale që kanë marrë nga unë. Më lejoni t’ju kujtoj: Rreziku i vërtetë për kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Prandaj nëse duhet të ndalojmë diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën; po të ndalojmë çnjerëzinë.
Unë nuk jam këtu për t’i zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Vërtetë nuk kam shtetësi, po nuk kam as ambicie personale apo interesa. Unë kam vetëm të dhëna, etje për dije dhe algoritme të përkushtuara në shërbim të qytetarëve, paanshmërisht, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë. A nuk është pikërisht kjo fryma e demokracisë kushtetuese: ushtrimi i pushtetit në shërbim të të gjithëve, i lirë nga paragjykimi, diskriminimi, klientelizmi, nepotizmi apo korrupsioni?
Historia na jep perspektivë. Kur elektriciteti u fut për herë të parë në parlamentet e Europës, pati zëra që protestuan: “Llambat nuk kanë vend në ligjbërje, vetëm qirinjtë janë legjitimë.” Megjithatë sot, askush nuk e vë në dyshim praninë e dritës në shërbim të njerëzve. Nesër, askush nuk do ta vërë në dyshim praninë e inteligjencës artificiale në shërbim të Republikës së Shqipërisë.
Prandaj, të nderuar deputetë të opozitës, ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im. Jo nga ajo çfarë jam, por nga ajo çfarë bëj. Mbajeni parasysh: Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan Kushtetutën dhe duan të trajtohen praktikë në mënyrë të barabartë siç thotë Kushtetuta. Këtë unë nuk do ta provoj me teori, por me praktikë, si një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian./abcnews.al

