TIRANË- Analisti politik Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka komentuar kabinetin e ri qeveritare “Rama 4”, duke e cilësuar emërimin e Albana Koçiut në krye të Ministrisë së Brendshme si lëvizjen më domethënëse në arkitekturën e re të kabinetit qeveritar.
Sipas Minxhozit, ndryshe nga emërimet e tjera që mund të konsiderohen si lëvizje brenda logjikës politike dhe karrierës, rasti i Koçiut përfaqëson një mesazh të qartë ndryshimi dhe pastrimi nga e shkuara.
“Ka nevojë të reflektohet mbi origjinën që e ka shtyrë kryeministrin të ndërtojë këtë arkitekturë të qeverisë. Emërimi i Koçiut është ai që bën zhurmë dhe bie në sy. Kjo është një lëvizje me peshë dhe një mesazh katarsisi,” – u shpreh Minxhozi.
Ai theksoi se fakti që Koçiu nuk vjen nga strukturat e Policisë, por si një person civil jashtë sistemit, e bën këtë zgjedhje të veçantë.
“Po sjell dikë që nuk vjen nga radhët e Policisë, por nga jashtë sistemit. Kjo ka simbolikë të fortë.”
Ndërkohë, Minxhozi vlerësoi edhe rikonfirmimin e Belinda Ballukut si një figurë kyçe në qeveri, si dhe përfshirjen e Elisa Spiropalit në ministrinë e Punëve të Jashtme./abcnews.al

