Gerti Çarçani, gazetari i ABC News, i cili moderon emisionin “Pressing”, ka qenë i ftuar në emisionin “ABC-ja e mëngjesit”, drejtuar nga Enkel Demi. Shkarkimet e tre trajnerëve, Lerda nga Partizani, Shkëmbi nga Teuta dhe Marantas nga Luftëtari, kanë qenë temë diskutimi. Gjithashtu është folur për ata që do drejtojnë Partizanin dhe Tiranën në vazhdim. Emra konkretë dhe tematika të ndryshme.
Çarçani fillimisht tha: “Genc Tomori dhe Renaldo Kalari drejtojnë, kanë mbetur edhe dy ndeshje. Kalari është asistenti, kurse Genci e komandon në situata të tilla. Partizani dhe Tirana nuk do të nxitojnë, me përjashtim të Teutës që zgjodhi një shkodran, si Edi Martini”.
Më tej ai shton: “Vjen një moment që objektivat ndryshojnë rrugës. Teuta është nga ato skuadra që kënaqej me Europën. Kampionati është i tillë, që skuadrat janë shumë të ngjeshura. Pjesa e Europës tremb më shumë, pa llogaritur titullin që ka një koeficient më të lartë vështirësie. Shkëmbi ishte një trajner që ndoshta nuk bëri atë kiminë me klubin, por në fund të fundit, për ndeshjen me Kukësin, mbase është dëmtuar pak nga gjykimi.
Nga katër gola, tre prej tyre ishin me penallti. Klubi konteston, një pjesë të të tyre. Kam përshtypjen se ka qenë vendim i akumuluar. Po kështu edhe vendimi i Partizanit, që ju e etiketuat që ra dëshmor. Si metaforë po e them edhe unë”, tha Çarçani. Më tej ai foli për situatën te Partizani dhe për trajnerin e larguar, Franco Lerda.
“Lerda i kishte situatat jashtë kontrollit. Ka pasur probleme komunikimi me një pjesë lojtarësh shumë të rëndësishëm. Asanin e mbajti në stol, po kështu edhe Çinarin në derbi. Telushi nuk luante. Klubi shfrytëzoi një vendimmarrje të tij, që i shkaktoi edhe humbjen në derbi. Asani është një lojtar që nuk ke luksin ta mbash në stol. Madje ai në janar ikën te AIK Stokholm. Klubi e ka mbyllur marrëveshjen për largimin e Asanit në Suedi”.
SITUATA TE TIRANA – “Halili i etiketoi gjeneralë trajnerët dhe ushtarë lojtarët. Çoi haberin pa dhënë emrat, pasi nuk mund të prishë klimën në grup. Në krahun tjetër la të kuptojë që trajnerët që drejtojnë Tiranën duhet të kenë ‘këllqe’ dhe guxim të bllokojnë presionet, që sipas tij vijnë nga jashtë. Ai e tha që faktorët janë të jashtë dhe që nuk i bën ai dhe nga klubi. Ardin, pas largimit, e tentuan ta rikthejnë. Ai nuk pranoi. Halili e tha diçka të tillë. Paguhet për kontratat e tjerë e tjerë, arsye administrative”.
PANKINAT BOSH – “Daja dhe Shehi janë emra që fabrikohen mediatikisht. Orgesi ka thënë që gjithçka mund të ndodhë dhe i përgjigjet pozitivisht çdo ftese. Ka një dilemë nëse është gati për të marrë një klub të madh, jo vetëm për Orgesin, por edhe për Ahmatajn. Orgesi është djalë model, por presioni është shumë i madh.
Partizani dhe Tirana kërkojnë përvojë të madhe, të tilla janë klube. Te Skënderbeu është i qetë, jashtë presionit. Megjithatë i jepet një mundësi nëse Partizani ia ofron stolin. Kam një ide që Tirana ka kontaktuar Dajën. Zërat se ka një marrëveshje, por nuk donin ta prezantonin para derbit. E ngacmova dje Dajën dhe më tha se e kam bërë një prezantim në gusht, i referohej prezantimit të Skënderbeut”.
EMISIONI “PRESSING” SONTE – “Përveç të zakonshmeve, do të jetë edhe Agustin Kola. Tirana fitoi derbin, jo Ligën e Kampioneve. Problemet prezente janë. Mund të mundin Flamurtarin, pastaj shkojnë në Laç. Kaloi thjesht makthin e derbit. Do tentojmë të marrim edhe nga Partizani në studio, por është e vështirë. Atje ka çështje, prej trajnerit. Do merremi me këtë ‘tërmetin’ e trajnerëve, ka edhe moviolë sikurse te Teuta-Kukësi. Kam përshtypjen se Partizani e kishte larguar më parë trajnerin, sido të dilte rezultati në derbi”, përfundoi Çarçani. /abcnews.al