Rama: Dua të përsëris që ndryshe nga çfarë është thënë, është komentuar, është publikuar në media apo rrjete sociale lidhur me prurjen e këtij viti dhe këto janë shifra, nuk janë opinione, sezoni turistik veror ka sjellë që për periudhën e deritanishme, ne të kemi mbi 9 milionë vizitorë ose e thënë ndryshe 500 mijë vizitorë më shumë se sa në vitin e kaluar, gjysmë milionë më shumë.
Kjo është “rënia” e komentuar gabimisht ashtu sikundër edhe një e dhënë tjetër që dua ta theksoj, është që nuk është e vërtetë që numri i vizitorëve nga Kosova ka rënë. Nuk figuron në asnjë lloj shifre konkrete, përkundrazi ka një rritje e cila nuk është një rritje e madhe për shkak se faktikisht ka pak ose aspak shqiptarë në Kosovë që nuk kanë qenë më parë në Shqipëri, ashtu sikundër ka rritje edhe Italia, edhe Mali i Zi, edhe Maqedonia e Veriut dhe pa dyshim edhe Greqia, por ajo që vlen të theksohet është rritja e madhe nga Franca, nga Gjermania, rritja e konsiderueshme nga Kina, India, Brazili, Australia, po ashtu ka rritje apo edhe rritja nga Turqia ose Irzaeli. Pra në tërësi, destinacioni po sjell rritje dhe kjo e thënë thjeshtë dhe vetëm për të dhënë një informacion të saktë, jo se ne tanimë kemi objektiv rritjen në numër, nuk është ky objektivi ynë. Rritja në numër për ne, nuk është më prioritet i parë. Për ne, prioritet i prioriteteve është rritja e cilësisë dhe rritja e numrit të turistëve dhe vizitorëve që konsumojnë më shumë këtu në vendin tonë.
Një gjë do theksoj nga të dhënat për të thënë se sa turizmi dhe Shqipëria turistike e ndihmon kombin tonë në aspektin e imazhit ndërkombëtar dhe ndihmon perceptimin e të tjerëve për ne, ka një përputhshmëri shumë interesante midis rritjes së numrit të vizitorëve dhe përmirësimit të perceptimit. Sjell këtu si shembull Francën që në euro-barometrin e bërë së fundmi nga Komisioni Evropian për të parë pëlqyeshmërinë e vendeve kandidate në sytë e popujve të shteteve anëtare, ka një perceptim pozitiv për Shqipërinë populli francez, që as nuk mund të imagjinohej deri jo shumë vite më parë kur Shqipëria dhe shqiptarët në Francë shikoheshin si një vrimë e zezë që sillte dele të zeza.
./abcnews.al

