Mori fund arratia për Pandeli Nakolecin. 40-vjeçari që vrau bashkëshorten ra në prangat e policisë greke rreth 24 orë pas krimit të rëndë. Ai ishte fshehur në qendër të qytetit të Volos, në një parking, rreth 200 metra larg shtëpisë
Sipas mediave greke, fjalët e para te 40-vjecarit pas arrestimit ishin se ai nuk ishte penduar: “Gruaja po me tradhtonte, çfarë duhet te beja”, mësohet te ketë thënë ai.
Pasi goditi disa herë me thikë në qafë dhe në shpinë bashkëshorten Marjola Nakoleci, 36-vjeçe, autori u arratis menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Krimi makabër ndodhi në sy të fëmijëve të çiftit, në pallatin ku ata jetonin. Debati nisi fillimisht në banesë dhe 36-vjeçarja tentoi të arratisej, por Pandeli Nakoleci e arriti te shkallët e pallatit dhe e goditi për vdekje.
Vajza e madhe e çiftit gjeti nënën e saj të mbuluar nga gjaku në hyrje të ndërtesës dhe tregoi për mediat greke se prindërit kishin konflikte, për shkak të xhelozisë së 40-vjeçarit ndaj bashkëshortes. Autori njihej gjithashtu si përdorues i lëndëve narkotike dhe familjarë të tij treguan për Abc News se ai kishte pasur probleme të shëndetit mendor.
Çifti kishte pasur shumë debate kohët e fundit, ndërsa autori 40-vjeçar qershorin e kaluar me urdhër të prokurorit, u dërgua në një klinikë për ekzaminim psikiatrik, pasi tentoi vetëvrasje.
Pandeli Koleci ishte arrestuar dy herë më parë për posedim droge në vitin 2019, ndërsa në vitin 2018 ai u dënua me një vit burg për dëshmi të rreme. Në vitin 2020 ai u dënua me 4 vjet burg për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe trafik droge. Më herët, në vitin 2013, ai u arrestua për falsifikim dhe hyrje të paligjshme në shtetin fqinj.

