Joan Anderson, gruaja që i dha emrin lodrës ikonike “hula hoop” dhe që pati një rol vendimtar, ndonëse shpesh të anashkaluar, në suksesin e saj global, ka ndërruar jetë në moshën 101-vjeçare.
Ish-modelja australiane ishte në një vizitë në atdheun e saj, Australi, kur vuri re një lodër të pazakontë që po fitonte popullaritet rrethe prej druri që rrotulloheshin rreth belit. E mahnitur nga thjeshtësia dhe argëtimi që ofronin, ajo solli një prej tyre me vete në SHBA, ku kishte emigruar prej kohësh.
Në dokumentarin e vitit 2018, “Hula Girl”, rrëfehet historia e saj e veçantë: si vendosi ta quante lodrën “hula hoop”, duke u frymëzuar nga vallëzimi tradicional havajan për shkak të lëvizjeve të ngjashme të trupit. Së bashku me bashkëshortin e saj, Wayne Anderson, ia prezantuan lodrën një drejtuesi të kompanisë amerikane të lodrave Wham-O.
Lodra pati një sukses të menjëhershëm dhe u përhap me shpejtësi në të gjithë botën, duke u shitur në miliona kopje. Por, pavarësisht rolit të tyre, emrat e çiftit Anderson nuk u përfshinë kurrë zyrtarisht në historinë e lodrës. Joan kujtonte takimin me kompaninë në fillim të viteve 1960: “I thamë: ‘E kemi quajtur hula hoop’. Ai tha: ‘Nëse na sjell fitim neve, do të sjellë edhe për ju’.” Marrëveshja u bë vetëm me një shtrëngim duarsh pa kontratë, pa garanci.
Megjithatë, me kalimin e kohës, premtimet nuk u mbajtën. Kompania nuk i njohu kurrë zyrtarisht për kontributin e tyre. Ata e paditën Wham-O dhe arritën një marrëveshje modeste financiare, por pa asnjë njohje publike për rolin që kishin luajtur.
Në rrëfime publike për origjinën e lodrës, ajo përmendej thjesht si “një mike australiane” një reduktim i padrejtë që ajo e përjetoi me dhimbje. “Mendoj se kjo më ka mërzitur më shumë se gjithçka tjetër. Nuk është treguar kurrë siç duhet. Unë nuk isha një ‘mike’,” tha ajo në dokumentar.
Joan Constance Manning lindi më 28 dhjetor 1923 në Sydney. Ajo punoi si modele për veshje plazhi dhe e takoi bashkëshortin e saj, një pilot amerikan, në plazhin Bondi. Më pas u shpërngul në SHBA, ku ndërtoi jetën e saj.
Në një intervistë për BBC, regjisori i dokumentarit tha: “Tregimi i historisë së Joan ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Ajo ishte 94 vjeç kur u takuam dhe, pavarësisht gjithçkaje, kishte jetuar një jetë të mrekullueshme. Ishte prekëse ta shihje duke marrë më në fund njohjen që meritonte.”
Joan Anderson ndërroi jetë më 14 korrik në një qendër për të moshuar në Carlsbad, Kaliforni. Familja e saj deklaroi se ajo kishte jetuar “një jetë të mrekullueshme”.
Pas vetes la dy djem, një vajzë dhe gjashtë nipër e mbesa. Një nga djemtë e saj, Carl, u nda nga jeta në vitin 2023./abcnews.al

