Tre fshatra u evakuuan në Delvinë të premten, për shkak të kërcënimit nga zjarret.
Ministria e Brendshme urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz.
Situata duket kritike, ndërsa në operacion janë përfshirë 4 helikopterë. Fatmirësisht në orët e mbrëmjes të së premtes, situate u normalizua, ndërsa 120 forca zjarrfikëse dhe të emergjencave civile po punojnë pa ndërprerje.
Flakët shkrumbuan disa shtëpi, ndërsa zjarrit nuk i shpëtoi as kisha shekullore e Shën Dhimitrit. Një monument kulture i rrallë, një ndër më të vjetrat në jug të vendit, nuk ekziston më.
Edhe Senica u përball me situatë kritike. Katër banesa dhe qindra pemë frutore u dogjën ne Senicë, ndërsa banorët u përballën me orë tmerri, në një përpjekje për të shpëtuar edhe ato pak sende që kishin.
Zjarri ra pasditen e së enjtes në mal dhe për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta u përhap me shpejtësi drejt zonës së banuar të premten. Edhe parku kombëtar i Lurës po digjet prej ditësh. Tre vatra janë aktive në liqenin e luleve që po shkatërrojnë pishat e bimësinë. Në terren janë mbi 100 forca ndërsa nga ajri ndihmon një avion i ardhur nga Kroacia.
Zjarri i rënë para disa ditësh në Shkopet ka përparuar drejt fshatit Fang në Mirditë duke rrezikuar dhe zonën e antenave.
Emergjencat Civile raportojnë për 10 vatra aktive në vend, ndërsa ne terren janë 680 forca operacionale. Orët në vijim pritet të jenë të vështira, për shkak të temperaturave të larta./abcnews.al

