Ish-anëtarja e Partisë Demokratike, Alesia Balliu, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në opozitë, sidomos sa i takon “telenovelës Lapaj-Shabani”, duke kritikuar qëndrimet publike të disa figurave politike dhe mënyrën si, sipas saj, po manipulohet rinia dhe opinioni publik.
E ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, Balliu tha se kjo betejë politike po bëhet vetëm për pushtet dhe jo për interesin e qytetarëve, duke akuzuar se brenda PD-së nuk ka as vullnet për zgjedhje të brendshme dhe as hapësirë për alternativa.
Sipas saj, ish-kryeministri Berisha po ruan vetëm interesat personale, ndërsa figura të tjera janë kthyer në “rrogëtarë humbës serialë”.
“Mua më vjen shumë keq, dhe është e turpshme që dalin nëpër ekrane dhe japin këto lloj mesazhesh për rininë për publikun dhe humbasin shpresat tek të rinjtë. Imagjino e gjithë kjo vetëm për një mandat, por po të ishte posti i kryeministrit çfarë do të ishte bërë?! Me këto veprime tregojnë se po luftojmë për pushtet. Rama nuk ka fare nevojë për mandatin e “Shqipëria Bëhet”, ata e vërtetuan që janë më keq se Berisha.
Berisha nuk hyri në garë për të fituar. Unë mendoj që doktori po ecën me sloganin pas meje u bëftë hataja. Berisha sot ka 500 mijë votues, Berishës nuk i intereson, se nëse do i interesonte do të vendoste një Lul të shkretë përsëri të cilin do e përdorte. Ai po ruan interesat për të qenë forca më e madhe opozitare në vend, mos kujtoni se do ketë ndryshime në shtator.
Mos kini shpresa! Në mendjen e Berishës gjithçka është i mirë, i mjafton statuti. Berisha nuk do zgjedhje brenda PD. Sepse neni Basha do të aplikohet tek të gjithë, vetëm tek Berisha vetë jo. Asnjë kandidat që mund të vijë pas Berishës, që është rrogëtar i Berishës nuk mund të fitojë. Berisha dhe 40 ‘rrogëtarët’ janë humbës serialë”, tha Alesia Balliu./abcnews.al

