TIRANË- Gjykata e apelit të posaçëm dënoi me burgim të përjetshëm Festim Bexhdilin për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
Apeli la në fuqi vendimin e dhënë më parë ndaj tij me burg përjetë të dhënë nga dy shkallë të gjyqësorit që më pas u prish nga Gjykata e lartë për tu rigjyukuar me një tjetër trupë gjyqësore. Në seancën e kaluar gjatë në kërkesën për dënim edhe prokuroria e posaçme erdhi me dy qëndrime në gjykatë. Prokurori Behar Dibra kërkoi dënimin e Bexhdilit me 20 vite heqje lirie, duke argumentuar se kopshtari i kompleksit golden për shkak se punonte aty nuk mund të mbante përgjegjësi për organizimin dhe rrëmbimin e Prengës, por vetëm për zhdukjen e trupit në formën e bashkëpunimit të thjeshtë dhe jo të grupit të strukturuar.
Ndërsa prokurorja tjetër e çështjes, Elida Kaçkini kërkoi lënien në fuqi të vendimit të dënimit me burgim të përjetshëm, duke e konsideruar Bexhdilin si bashkëpunëtor në kuadër të grupit kriminal për ngjarjen e rëndë. Sipas saj, kamerat e sigurisë tregojnë bindjen e Bexhdilit ndaj autorëve të tjerë, pasi i ndihmoi në lëvizjen dhe fshehjen e trupit si edhe në pastrimin e vendit të ngjarjes.
Prokuroria nuk e ka gjetur ende trupin e pa jetë të Prengës, por referuar kamerave të sigurisë dhe njollave të gjakut të gjetura në vend ngjarje ka dalë në përfundim se ai ka humbur jetën.
Referuar hetimeve, organizator i rrëmbimit është Dritan Rexhepi që bashkë më 5 persona të tjerë po gjykohen në një tjetër proces dhe shkak për ngjarjen u bë vjedhja e një sasie kokaine që Rexhepi dyshonte se u grabit nga vëllai i Prengës në një port të Anglisë. Për këtë ngjarje vijon të jetë në kërkim Altin Hajri pronari i kompleksit golden resort ku u mbajt fillimisht trupi i Jan Prengës.
/abcnews.al

