Zgjedhje po, por jo tani. Doktori në 24 orë ka ndryshuar mendje. Për të dytën ditë mbrojti Erion Veliajn, por tani kryebashkiaku i burgosur s’duhet të shkarkohet. Megjithëse sipas tij, ai është delinkuent, ai duhet të ushtrojë detyrën.
“Ne nuk bëhemi si ata. Të dhënat janë se atij po i privohen të drejtat ligjore që i takojnë”
Dhe kërkesa e këshilltarëve opozitarë në Bashkinë e Tiranës për shkarkimin e Veliajt, po kalohet në heshtje, për arsye të ndryshme, nga të gjitha palët. Por më i interesuari për ta shtyrë kërkesën, duket të jetë doktori. Por jo sepse ka hallin e Erion Veliajt. Veliaj tani duhet të rrijë, sa PD të mbledhë edhe pak energji e forca për t’u bërë gati për humbjen e radhës.
Nga zgjedhjet e 11 majit nuk kanë kaluar as tre muaj. Në këto zgjedhje, PS fitoi në Bashkinë e Tiranës me 166 mijë vota, disa mijëra vota më shumë se Erion Veliaj në 2023. Kurse PD mori thuajse sa Belo humbësi në 2023, vetëm, 110 mijë vota.
Erioni në burg nuk ndryshoi dot rezultatin. Por Erioni në detyrë i jep doktorit edhe pak kohë për të reflektuar. Vetëm është matematikisht i humbur, por me partitë e tjera, humbja jo vetëm zvogëlohet, por edhe ndahet. Ndaj dhe të enjten, që njihet në Tiranë, si ditë pazari, erdhi oferta e parë e tregtarit të vjetër, për pazarxhinjtë e rinj.
“Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me gjitha forcat politike opozitare, por lidhur me kandidaturën, ajo do jetë objekt diskutimi”.
Që kandidatura e përbashkët është objekt diskutimi mes opozitës, për këtë mjafton të shikosh se çfarë ndodhi me sherrin veror Lapaj-Shabani, pasi mesa duket të dy kanë pretendime për kandidimin për Tiranën. Si për të vërtetuar vëmendjen qëdoktori ka ndaj një bashkimi që vjen edhe nga përçarja, reagimi i tij ishte diplomatik:
Në mes mbeten votat e PSD të Tom Doshit, 11 mijë e 618 të cilat në këto kushte, mund të përcaktojnë edhe kandidatin fitues. Por doshi duket se nuk do nxitohet. Ndaj dhe doktorit i duhet kohë, për të parë, se kush do pranojë që së paku të ndajë me të sërish, humbjen e radhës në Tiranë.

