SARANDË– Detaje të reja dalin në dritë nga shpërthimi me tritol në Sarandë. Automjeti, i cili u hodh në erë në orët e vona të së hënës është në pronësi të Klaus Jacaj, i shpallur në kërkim për “përkrahje të autorit të krimit”, i përfshirë ne ngjarjen e disa ditëve me parë kur u plagosën me armë dy persona nga Kamza.
Ai akuzohet se ka ndihmuar dy autorët Ramadan dhe Erjon Canaj, të cilët qëlluan dy të rinj pas sherrit për pronën në bregdet.
“Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit Klaus Jacaj, 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.”, njoftoi policia.
Grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë./abcnews.al

