PRISHTINË- Përplasja e deklaratave mes presidentes Vjosa Osmani dhe Richard Grenell ka rikthyer në vëmendje edhe njëherë raportet e tensionuara në marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA.
Richard Grenell, i cili ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për dialogun Kosovë–Serbi, ka akuzuar Osmanin për manipulim të deklaratave të presidentit amerikan.
Ai i është referuar një deklarate të Presidentes Vjosa Osmanit, të bërë më herët gjatë javës në Uashington, përgjatë së cilës i ka konfirmuar deklaratat e presidentit Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.
Në mandatin e parë të Donald Trump, më saktësisht më 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike – e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit, e cila nuk është zbatuar kurrë në tërësi.
Vetë Trump i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre, por pa ofruar hollësi për periudhën kohore.
Analisti Adri Nurellari, i ftuar në “Balkan Update” u shpreh se deklaratat e Osmanit janë qesharake dhe aspak serioze dhe se reagimi i Grenell ishte i pritshëm.
“Ishte keqinterpretim i deklaratës së Trump dhe ishte i pritshëm një reagim i Grenell.
Është qesharake deklarata e Osmanit dhe është qesharake përpjekja për t’u shitur si ura lidhëse me SHBA. Deklaratë e papërgjegjshme dhe e pavërtetë.
Richard Grenell e tregoi se ajo ka të bëjë për marrëveshjen e Uashingtonit e bërë para disa vitesh.
Reagim me vend i Grenell dhe po ashtu lë një shije jo të mirë që Osmani bëri deklaratë të tillë.
Për ta portretizojë veten si njeriu që ka mbështetjen amerikane është sjellje e papërgjegjshme, e pakëndshme, por nuk është surprizë. Raportet SHBA-Kosovë janë në krizë”, tha ai./abcnews.al

