Policia ka vënë në pranga një 41-vjeçar nga Maqedonia e Veriut i cili kërkohej nga autoritetet austriake për disa vepra penale.
Musli Aslani banues në Shkup u arrestua nga Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Tiranë. Gjatë kontrollit 41-vjeçarit iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabisi, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Aslani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ndaj tij është lëshuar urdhër arresti nga Zyra e Prokurorit Publik Innsbruck në Vjenë për kryerjen e veprave penale “Trafikim droge”, “Kërcënim i rrezikshëm”, “Zhvatje e rënduar”, dhe “Plagosje”.
Këto vepra janë të parashikuara nga Kodi Penal Austriak ku parashikohet një dënim maksimal deri në 20 vjet burgim. Interpol Tirana vijon procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet austriake./abcnews.al

