Futbollisti i Liverpoolit dhe i përfaqësueses së Portugalisë, Diogo Jota, ka vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku në Spanjë, ka konfirmuar policia spanjolle.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në autostradën në zonën e Zamorës, afër qytetit Palacios de Sanabria, sipas të përditshmes spanjolle Marca. Jota ndodhej në automjet së bashku me vëllain e tij 26-vjeçar, Andre, i cili gjithashtu ka humbur jetën.
Raportohet se automjeti është përfshirë nga flakët pas përplasjes, duke e bërë të pamundur shpëtimin e dy vëllezërve.
Drama bëhet akoma më e madhe, pasi vetëm dy javë më parë në Porto, Diogo Jota kishte kurorëzuar me martesë lidhjen e gjatë me të dashurën e tij Rute Kardozo, me të cilën kishte edhe tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.
Autoritetet e provincës së Zamorës thonë se hetimet që kanë nisur do të zbulojnë shkaqet e këtij aksidenti tragjik, që i mori jetën dy vëllezërve shumë të rinj në moshë, përveçëse dy futbollistë, ku më i madhi, Diogo Zhota kishte një karrierë të shkëlqyer si pjesë e Liverpool dhe përfaqësueses portugeze.
I lindur në Porto, Jota e nisi karrierën futbollistike në akademinë e të rinjve, përpara se të transferohej te Atletico Madrid në vitin 2016. Ai më pas u bashkua me Wolverhampton Wanderers, para se të bëhej pjesë e Liverpoolit, ku spikati si një nga sulmuesit më të rrezikshëm të Premier Ligës.
Në nivel ndërkombëtar, 28-vjeçari ishte pjesë e skuadrës kombëtare të Portugalisë dhe kontribuoi në suksesin e saj në Ligën e Kombeve, duke fituar trofeun në vitet 2019 dhe 2025.


