Bujqësia duhet të kthehet në sipërmarrje fitimprurëse.
Gjatë një takimi me fermerët në Cerrik, ku shpalosi vizionin e qeverisë në katër vitet e ardhshme për këtë sektor, kryeministri Edi Rama tha se fondi prej 250 mln eurosh i venë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë dhe garancitë sovrane nuk mund të japin efekt nëse nuk ndryshohet qasja.
“Nëse nuk i japim dot bujqësisë profilin e sipërmarrjes dhe mos ti japim atyre qe duan të jenë në fshat të ngrenë një sipërmarrje dhe që të dalin me një fitim që ja bën kuptimplotë jetën në fshat ne nuk e kemi kryer detyrën. Kjo nuk është një histori subvencionesh për të mbajtur frymën, por duhet të jetë një histori për të transformuar frymën e jetës së një sipërmarrje rurale. Ky vend duhet të ketë një sipërmarrje rurale të fuqishme. Ne kemi ambicion që ti kushtojmë më tepër rëndësi agro përpunimit, më shumë rëndësi rritjes së eksporteve të produkteve të përpunuara, por kjo kërkon sipërmarrje. “
Dhe këtu rol të shtuar do të ketë pushteti vendor. Rama kritikoi kryebashkiakët, të cilët sipas tij, e shohin fshatin si ceshtje të infrastrukturës rrugore por jo në funksion të zhvillimit duke nxjerrë pengesa për projektet.
“Pushteti vendor duhet të bëhet pararojë në këtë sipërmarrje. Duhet të jetë pika e parë mbështetëse për ata që duan të zgjerojnë apo të bëjnë sipërmarrje të reja. Në të gjitha aspektet. Jo sic ndodh shpesh që pushteti vendor të jetë problemi kryesor për të marrë një vërtetim, për të marrë një leje, për të zhvilluar një projekt, në aspektin fizik”
Por sipas Ramës, edhe paketa e maleve rrezikon të mos implementohet.
“Paketa e maleve e vënë në dispozicion të zhvillimit rural, që rrezikon të mbetet pa shfrytëzuar nëse nuk ndërtojmë mekanizmat e duhur, deri kur këto gjëra të kthehen në pjesë të të menduarit të përditshëm të komuniteteve. Kam parasysh ata që punojnë tokën, ata që administrojnë territorin në nivelin vendor dhe qendror”
Tryeza e përbashkët mes përfaqëesve të qeverisë, kryetabashkiakë dhe fermerëve do të zhvillohet përgjatë dy ditëve. Fokusi është tek mbështetja financiare dhe skemat kombëtare për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural./abcnews.al



