PRISHTINË- Pavarësisht paralajmërimeve të njëpasnjëshme për të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara, Albin Kurti vijon të sfidojë komunitetin ndërkombëtar.
Qeveria e Kosovës po hedh këtë të martë gurthemelet për dy ura të reja mbi lumin Iber që sipas tyre do të shërbejnë për lëvizjen e këmbësorëve dhe të automjeteve.
Më herët Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar qeverinë Kurti kundër një hapi të tille duke thënë se ky veprim do te sillte tensione në veri dhe minim të paqes dhe stablitetit në rajon.
Bedri Elezi, ekspert i sigurisë, u shpreh për “Balkan Update” në ABC News se kryeministri i Kosovës me këto akte të pa konsultuara me ndërkombëtarët po krijon premisa, të cilat mund të kenë pasoja për venin.
Ai theksoi se ndërtimi i tyre nuk mund të bëhet pa një konsultim paraprak me aleatët perëndimorë, si SHBA dhe Bashkimi Evropian.
“Albin Kurti po vijon të përçajë marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Vendimet e tij po rrezikojnë Kosovën. Të gjithë po bëjnë përpjekje, që mos të ketë eskalim të situatës së sigurisë në veri. Kjo nismë e ndërtimit të urave të mbetet si një përpjekje dhe mos të shkohet më tej pa një konsultim me BE dhe SHBA.”, tha ai.
Kosova vazhdon të mbajë gjallë ngërçin politik, pasi që prej shkurtit, deputetë nuk po arrijnë të konstituojnë Kuvendin e ri.
Plot 40 herë ka dështuar përpjekja e tyre për konstituimin e Kuvendit dhe palët kanë hedhur akuza ndaj njëra tjetrës, por gjithsesi barra kryesore në këtë proces bie mbi partinë fituese, e cila ka ngulur këmbë dhe nuk propozon një emër tjetër për kryetare Kuvendit, përveç Albulena Haxhiut, emri i së cilës po kundërshtohet nga spektri opozitar.
Për këtë çështje, Elezi tha se çdo deputet ka përgjegjësi dhe obligim të votojë pro funksionimit të institucioneve.
“Çdo deputet që merr besimin e qytetarëve ka obligim për krijimin e institucioneve. Nëse nuk do kemi angazhim konkrete për krijimin e institucioneve, atëherë e prekim interesin e drejtpërdrejtë të Kosovës”, theksoi ai./abcnews.al

