Një ngjarje tragjike është regjistruar në provincën e Salernos, Itali, ku një i ri shqiptar, 25 vjeç, ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri nga pronari i një banese.
Sipas raportimeve të mediave italiane, incidenti ka ndodhur të dielën më 22 qershor, kur i riu shqiptar, së bashku me dy persona të tjerë, ka hyrë në një banesë për të kryer një vjedhje. Pronar i shtëpisë ishte një 60-vjeçar me profesion ndërtues, i cili ka reaguar me armë dhe ka qëlluar mbi grabitësit, duke lënë të vdekur 25-vjeçarin.
Autoritetet dyshojnë se pas ngjarjes, pronari e ka fshehur trupin e viktimës në një zonë të pyllëzuar me bimësi të dendur. Pas më shumë se dy ditësh kërkimesh intensive, policia arriti të lokalizojë kufomën.
I dyshuari ka treguar vetë vendin ku kishte fshehur trupin, në praninë e avokatit të tij, dhe ka pranuar se ka hapur zjarr gjatë ngjarjes. Tashmë ai përballet me akuzat për vrasje dhe fshehje të kufomës.
Gjatë përleshjes, një nga bashkëpunëtorët e viktimës ka mbetur rëndë i plagosur dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa personi i tretë që mori pjesë në tentativën e grabitjes është ende në arrati dhe po kërkohet nga policia.
Po ashtu, gjatë incidentit është raportuar edhe vjedhja e një arme zjarri nga banesa, e cila dyshohet se mund të jetë përdorur në shkëmbimin e zjarrit mes grabitësve dhe pronarit./abcnews.al



