Përmes një ceremonie madhështore në Pallatin e Kongreseve u çel viti mbarëkombëtar i Skënderbeut, në këtë 550 vjetor të vdekjes së heroit tonë kombëtar.
Kryeministri Rama e cilësoi Skënderbeun si figurën më të rëndësishme dhe themelore për kombin tonë.
Nis kremtimi i madh për 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, në Pallatin e Kongreseve. Kryeministri Edi Rama, përmes një skenografie amshimi, ku në qendër është vula e Skënderbeut, u shpreh se heroi ynë kombëtar ka qenë forcë emancipimi dhe evropianizimi.
Edi Rama: “Përpara se të jetë simboli i mëvetësisë apo ikona e shtetndërtimit në shekuj ndër shqiptarët, mbetet para së gjithash një forcë e jashtëzakonshme tërheqëse emancipimi dhe europianizimi. Ka një madhështi gjithmonë shumë. Ka një madhështi shumë të qetë dhe gjithmonë tërheqëse te Skënderbeu i pashfaqur, gjithë njëherësh një Skëndërbe i pafan, siç e ka quajtur Jeronim De Rada. Tek ai Skënderbe autentikisht i përvuajtur, por asnjëherë i përulur që vetë cilësohej si një zotëri në një vend të vogël, por ku synohej të mbahej me këmbët e veta dhe jo me lëmoshën dhe famën e rreme të kësaj bote”.
Në çeljen e vitit mbarëkombëtar të Skenderbeut 150 arbëreshë kanë ardhur për të kujtuar figurën më të madhe të historisë sonë kombëtare.
Edi Rama: “Ishte vërtetë emocion dhe sigurisht kënaqësi që gjendemi sot, të gjithë këtu së bashku dhe ku 150 arbëreshë, të cilët në çdo rajon të Italisë, ku jeton trungu më i moçëm i diasporës sonë, kanë ardhur në tokënë mëmë për të nderuar figurën që plazmoi mbijetesën dhe natyrën e tyre shekullore si arbërorë”.
Kronistët e qëmotshem dhe studiuesit e sotshëm, i veçojnë oratorinë, theksoi më tej Rama për heroin tonë kombëtar.
Edi Rama: “Kronistët e qëmotshëm, por edhe studiuesit e sotshëm bien dakord pothujse të gjithë me faktin që përpara se të godiste përmes shpatës, Gjergj Kastrioti tejçonte një fuqi karizmatike që imponoi si të thuash të gjitha shqisat. Oratori I Dukeshës së Mantovas në Romë tek e sheh për herë të parë në Dhjetorin e 1466-s ngutet të raportojë jo fjalët, por imazhin që iu gdhend në kujtesë. Një burrë i moçëm, jo i kapërdisur. Me një dinjitet të sigurtë që kurrëfarë gjëje nuk i detyrohej gjërave solemne apo veshjeve të çmuara”.
Tre ditët e “Yllit të Mengjesit” është një kremtim i 550-vjetorit të kalimit në ameshim të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeut. Në formën e një ekspozite u prezantuan për të pranishmit gravura, artifakte, portrete në pikturë dhe objekte të rëndësishme të kohës. Në hollin qëndror të Pallatit të Kongreseve për 3 ditë vizitorët do mund të njihen nga afër me këto objekte të rëndësishme shumë prej të cilave prezantohen për herë të parë./abcnews.al